Nga Bedri Islami

Shumë nga miqtë e mi do të çuditen me shënimin e sotëm: është diçka jashtë natyrës sime, si të thuash, një devijim nga ajo e zakonshmja, por që në të vërtetë kam dashur prej kaq kohe ta shkruaj.

Përse dhe çfarë më lidh me njërin nga personazhet e këtij shkrimi, të cilin, as nuk e njoh, as e kam takuar ndonjëherë, e për më tepër as që e kam ditur se është vlonjat? Se, si kam shkruar shpesh herë, unë i dua vlonjatët për atë shpirtin rebel, deri kryengritës dhe kam thënë gjithnjë se dy qendrat më të prekshme të nacionalizmit shqip janë në Drenicë dhe në Vlorë, dy pika ku jo rrallë herë janë takuar burra të mëdhenj të kombit.

Nuk e kam parë kurrë, në foto më është dukur një njeri i zakonshëm, që vërtet ka bërë një faj në fillimet e jetës së tij, por që më shumë se gjithë të tjerëve, i rëndon atij dhe njerëzve të tij të afërt. Nuk i kam takuar as të afërmit e tij, as të vëllain ministër, me të cilin edhe pse kemi qenë në fillimet e jetës plurale në të njëjtën strukturë të lartë drejtuese të PS-së, nuk kemi shkëmbyer dy fjalë.

Interesi im është zgjuar për të jo vetëm nga emri Agron, çka është edhe emri i vëllait tim të vogël, por nga furia që krejt befas, për hir të një misioni që kishte marrë përsipër vëllai i tij, u ngrit ndaj tij dhe kam menduar se si mund ta kishte përballuar ai këtë furi.

Nuk është e lehtë të përballesh kështu furishëm: je në punën tënde, disa të shkojnë mirë e disa jo, ke mbi vete një faj të një kohe të shkuar, të cilin nuk ke pse e mban mbi vete gjithë jetën dhe, papritmas, fillon ndaj teje të ngrihet, mbi atë faj, një shumësi fajesh të tjerë, të cilat nuk kanë asgjë me të vërtetën dhe megjithëse ata që ngritin këtë furi mllefi e dinë fare mirë, je i detyruar të mos përgjigjesh.

Agron Xhafaj u bë i njohur jo nga dënimi i tij në vitin 2002. Aso kohe emri i tij lidhej me postin e të vëllait, që megjithëse nuk bartte asnjë përgjegjësi për çfarë kishte ndodhur, afroi dorëheqjen e tij. Kaq ishte e gjitha dhe kur në familjen e tij, pas vitit 2005, nuk kishte më askush poste, u harrua.

Qeveria e vitit 2005 e drejtuar nga opozitarët e tashëm, nuk ia kishte ngenë një dosjeje, ajo po krijonte detashmentin e vet të përvetësimeve masive, krijimit të një rrjeti të fuqishëm të oligarkisë politiko – financiare, plantacionet e drogës, jo vetëm në Lazarat, por ky ishte “terreni i partisë”, në të gjithë vendin, e po ashtu krijimin e një grupi mafioz pranë strukturave më të larta, i cili, ashtu si mund të quhej “Çiftelia”, ashtu mund të kishte edhe emrin e çfarëdolloj shkelzojce, fahrojce, delijorgjece, të cilët edhe veç e veç ishin një qind a njëmijë herë më të rrezikshëm dhe më agresivë se sa Agron Xhafaj në qytetin e tij.

Në tetë vite të qeverisjes së opozitës, deri në mesin e shtatorit 2013, pra, edhe pas vendimit fundor për dënimin e Agron Xhafës me 7 vite e dy muaj dhe konvertimin në 4 vite e dy muaj, nuk e ngriti kurrë çështjen Xhafaj; nuk i ra ndër mend se duhej ekstraduar, nuk thirri as Europolin e as Interpolin, nuk e ndaloi në udhëtimet e tij, nuk i sekuestroi pasurinë nëse kishte, nuk i trokiti në derë. Një vit e gjysmë për vendimin fundor opozita që qeveriste deri në 10 shtator 2013 nuk kishte problem Xhafaj.

Ai filloi të bëhet problem i lakueshëm. Zuri fill me emërimin e vëllait të tij si njeriu kryesor në hartimin e kuadrit ligjor të Reformës në Drejtësi dhe, sa herë që një ligj a nen i dukej opozitës si makth për të ardhmen, aq herë niste mllefin e saj ndaj një vëllai që nuk kishte asnjë punë me ligjet, me nenet dhe shtesat a pakimet.

Pastaj doli Babale 1. Një qorollepsje politike e mafioze e neverisë së shkallës më të lartë, por që kishte marrë bekimin, mbështetjen e pagesën e PD-së.

Ndodhi menjëherë pas thellimit të ngjarjes së kokainës dhe zbulimit se kjo nuk ishte qenë herë e parë. Ishte një kundërpërgjigje mjerane ndaj një njeriu që bartte mbi vete jo vetëm një faj të shkuar, por edhe drojën e opozitës e me këtë ministër, tejet institucional dhe i hapur mund t’i ndodhte gjithçka.

Të trembur nga humbja e njërës prej kështjellave të tyre – prokurorisë; të ndrojtur se mos edhe kështjella tjetër e tyre hidhej poshtë- gjykata; të pashpresë ndaj hedhjes poshtë të Vettingut, pa asnjë argument e kauzë, pa ide dhe vizion humbur, ata gjetën një Babale, trafikant, delirant, i veseve dhe vulëhumbur, e bashkuan me një gazetar i gatshëm për shitje, shtuan dy ish ministra drejtësie për ta bërë më të qëndrueshme përrallën e tyre dhe na e servirën.

Tashmë për këdo është e qartë ajo që vetë kupola e PD-së e kishte të qartë që nga fillimi: mllefi ndaj Agron Xhafës ishte në fakt mllefi ndaj drejtësisë dhe ligjit; jo se ai bartte vlerat e ligjeve, por sepse menduan se duke luajtur me një faj, tashmë 16 vjeçar, mund të fitonin diçka në këmbim. Basha e përfitoi në të vërtetë: vëllai i tij mori të drejtën e një institucioni të rëndësishëm privat, që nuk jepet edhe aq lehtë për këdo.

Por dëshira për të bërë këtë shkrim nuk ka lidhje as me Agron Xhafën, as me të vëllain ministër, as me qeverinë, por me një mendësi të përçudnuar, reminishencë nga e shkuara.

Ku e kam fjalën: një njeri mund të bëjë një faj në rininë e tij; ky faj mund t’i trazojë jetën atij, por edhe të afërmve, por rëndesa është mbi fajtorin. Kjo është një çështje mbi jetën e tij, për sa kohë nuk është luajtur mbi parimet, ligjet dhe detyrat e shtetarëve.

Nëse është shikuar shpesh herë për lidhjet e Berishës së vogël me Gërdecin dhe kjo është lidhur me babain e tij si shef i qeverisë – kjo ka qenë e natyrshme, pasi, vetëm përmes të atit u mbyllën të gjitha hetimet që të çonin drejt tij dhe askush, asnjë hetues a prokuror, pas bubullimave të shefit të qeverisë, në këtë rast babai i atij që ishte themeli i vrasjeve, nuk guxoi as të mendonte se mund të thirrej. Nëse është shkruar, kam shkruar edhe unë, për tre përqindëshin që kërkonte Argita Berisha për një firmë të babait të saj, firmë që kushtonte miliona, ka qenë e natyrshme, pasi lidhej me një aferë brenda familjes, e cila edhe po të mos donte një analist, ajo bënte “muuuu”.

Ka mjaft njerëz në këtë vend që në një moment të jetës së tyre gabojnë apo bëjnë një faj që ndëshkohet. Si është ndëshkimi i drejtë, ashtu është edhe fillesa e drejtë. Askush nuk guxon të mohojë të drejtën e një fillese të re. Mirëpo, nëse ky njeri fajtor, i rikthyer në jetën e zakonshme është i afërt i një deputeti, ministri a politikani çfarëdo, atëherë ai pa asnjë thellim në jetën e tjetrit, bëhet objekt i mllefit opozitar, ndaj tij ngrihen gjithë mëritë e mundshme ndaj qeverisjes, ai bëhet flamuri i luftës së një opozite të shkalluar, që nuk njeh asnjë kod moral dhe asnjë të drejtë ripërtëritjeje të dinjitetit.

Mjafton të jesh i afërt i dikujt në qeverisje dhe opozitës i dukesh si një basmë e kuqe toreadorësh dhe sulen ndaj tij, ose ndaj saj, si demat e tërbuar për të rrënuar jetë dhe për të bërë pak politikë. Nuk besoj se ka njeri që i ka harruar “stuhitë” berishiane ndaj motrave, grave, vajzave, kushërirave të deputetëve të anës tjetër dhe e gjitha kjo për pak “hymn” rebelimi. Kjo po shkon më tej, nga njëri drejtues në tjetrin. Po bëhet një luftë e re klasash, duke gjurmuar brenda familjes, brenda fisit, sikur një njeri të jetë përgjegjës për të gjitha dhe për gjithçka.

Deri në fillimin e punës së Komisionit të Posaçëm për reformën në Drejtësi askush nga opozita nuk u kujtua për një burrë nga Vlora, që ishte dënuar 16 vite më parë dhe në vendin ku ishte dënuar askush nuk kujtohej për të.

Në fund të Babale 1 opozita humbi gjithçka që kishte menduar se do të ishte pronë e saj; e vetmja gjë që fitoi është se dërgoi të shlyente një dënim që nuk ia kërkonte askush, një njeri “mëkati” i të cilit kishte qenë se vëllai ishte ministër. Besoj se duhet të jenë qetësuar përkohësisht; ku ta dish, një ditë mund të ketë burra dhe gra kurajoze që mund të hapin disa dosje të nxehta, para të cilave rasti fatkeq i Xhafës së ri do të duket si një lojë fëmijësh.

Ka mbi 28 vite që vazhdon kjo histori. Shpejt do të bëhen 30 vite, nëpër të cilët do të rrjedhë e njëjta mendësi: t’i biem të gjithëve në një familje, për të dëshmuar se asgjë nuk harrohet.

Po ne, të tjerët?

Të lodhur nga zhurma e përditshme e një mllefi të verbër përpiqemi të gjejmë një strehë qetësie, ku bekomë o Zot, të mos na gjejë kjo kujë e gërmimit familjar deri në brezin e dhjetë.j.j