Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri nuk festojnë gjithnjë me shqiponjë. Nuk e bëjnë shqiponjën kur luajnë me ekipe të tjera perëndimore apo në ekipet e tyre. Ai gjest është një përdorimsh për ta, si pjestarë të kombëtares së Zvicrës dhe rasti është vetëm Serbia.

Ata janë në Zvicer, për shkak se atdheu i tyre Kosova, ka qenë i ndëshkuar deri në rrezik të zhdukjes fizike prej nacionalizmit serb dhe mbijetesa e tyre njerëzore është një histori që nuk mund të fshihet .

Xhaka dhe Shaqiri janë talente të Zvicrës, talente të një vendi që i mori emigrantë dhe i bëri yje. Ata duhet të respektojnë në cdo gjest dhe në dalje publike të tyre atdheun e dytë që u dha dinjitet dhe hapësirë për të qenë talente.

Por nga ana tjetër, askush nuk mund ti kërkoj dy futbollistave yje të harrojnë identitetin e tyre përballë një ekipi kombëtar që u kujton tmerrin e jetës së tyre. Betejat mes ekipeve kombëtare janë dhe beteja mes hisotrisë së tyre dhe kjo nuk është hera e pare në futboll.

Askush nuk mund tu kërkoj atyre djemëve të harrojnë historinë e tyre kur janë përballë dikujt që ua kujton atë. Biles dhe motivimi maksimal i tyre për të shënuar, kishte brenda dhe një fuqi të mbinatyrshme që buronte nga identiteti dhe vetëdija e tyre për të.

Për më tepër simboli i shqiponjës nuk është një simbol fyes dhe as i ndaluar. Ai nuk lidhet as me ndonjë ndjenjë rraciste, as fetare dhe as nacionaliste. Është thjeshtë simboli i shqiponjës. Gjestet me tre gishta të futbollistëve serb janë simbole nacionaliste pasi janë simbole të një ideologjie nacionaliste që ka bërë barbari në Ballkan.

Por i vetmi rast kur ne e kemi tepëruar ishte shpërthimi i një feste mbarëkombëtare për fitoren e Zvicerës ndaj Serbisë sikur të kishim fituar ne. Shqiptarët nga mënyra se si festonin dje dhe vazhdojnë festojnë akoma, duket sikur ishin ata duke luajtur me Serbinë. Ne në fakt luajtëm me Serbinë dhe na mundën 2 me 0 në Elbasan. Vjedhja e fitores që ne u bëm zvicerianëve dje ishte i vetmi gjest i tepruar që kemi bërë ndaj dikujt në këtë histori. Dhe këtë ska bërë Xhaka e Shaqiri që festuan si shqiptarë të Zvicrës, por ne që festonim sikur Zvicra të jetë koloni e Shqipërisë. Më shumë kemi fyer Zvicrën, se sa Serbinë. Serbët thjeshtë i kanë mundur dy djemë shqiptarë që i rriti dhe i bëri të talentuar Zvicra. Kësaj të fundit duhet ti jemi mirënjohëse dhe jo të bëjmë sikur fituam ne.