Jetimorja e parë në Shqipëri u ngrit me 28 nëntor të vitit 1917, në ideimin e nënprefektit të Tiranës Rauf Ficos që në bashkëpunim me ish kryebashkiakun e Tiranës Zyber Hallulli e figura të tjera publike mobilizuan familjet e pasura dhe tregtarët e qytetit.

Problematika e fëmijëve pa familje u theksua shumë në Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore. Pas largimit të ushtrive të huaja nga Shqipëria, në mbarë vendin do të mbeteshin pas fëmijë të braktisur.

Disa prej tyre kishin humbur prindërit e disa të tjerë ishin braktisur si fëmijë të paligjshëm të ushtrive të huaja. Misionarët e Kryqit të Kuq Amerikan që erdhën në Shqipëri për të ndihmuar në kapërcimin e pasojave të Luftës, do t’i bashkonin këta fëmijë për t’u kujdesur për ta, në bashkëpunim me autoritetet lokale.

“Këta të rinj të pafat shiheshin si të dëbuar, për moralin e shumicës së popullit. Shumë prej tyre ishin pa shtëpi dhe askush nuk interesohej për ta. Por kur Kryqi i Kuq Amerikan erdhi për të asistuar vendin për të kapërcyer pasojat e luftës, situata ndryshoi.

Amerikanët çelen një jetimore dhe shkollë për këta fëmijë të përjashtuar dhe tani këta fëmijë po marrin kujdesin e nevojshëm” shkruhet në diçiturën e një prej fotove të Librarisë së Kongresit Amerikan.

Krahas jetimores në Tiranë, Kryqi i Kuq Amerikan do të bashkëpunonte edhe me murgeshat italiane në Shkodër për të hapur jetimore tjetër për fëmijët atje. E në Shkodër do të ishin dy jetimore, ajo e motrave jezuite e ajo e motrave saveriane.

Fëmijëve do t’u jepeshin strehim, veshje, ushqime, kujdes mjekësor e arsim bazë. Po ashtu, për ta do të organizoheshin edhe parqe lojërash për argëtimin e tyre.

Pas stabilizimit dhe transferimit të strukturave të misionarëve amerikanë nga Kryqi i Kuq te qeveria shqiptare, jetimorja e Tiranës (Streha Vorfnore) në vitet ‘20 do të financohej nga fondet publike. Sërish administrimi i saj do të ishte nga Kryqi i Kuq, por ai shqiptar, që në vitet ’30 drejtohej nga një nga motrat e mbretit Zog.

Në jetimoren e Tiranës ishin 300 fëmijë të varfër dhe jetimë. Në vitin 1936, me një ligj të posaçëm, bashkitë e vendit u detyruan që të dërgonin jetimë nga juridiksioni i tyre, kundrejt një pagese 400 franga ari në vit.(scan)