Nga Ylli Polovina

Mes një punë të nisur që në mes të vitit 1971 për krijimin e një arkive personale me zhvillime nacionale dhe ndërkombëtare të kohës, por edhe me të dhëna për Luftën Nacionalçlirimtare në qytetin e lindjes, në Berat, në 28 mars 1977 kam kryer edhe një bisedë të regjistruar dhe më pas të zbardhur në letër, me ish-partizanin C. Xh.

Ky njihej si njeri i matur dhe realist, jo tip propagandistik.
Mes të tjerash ai tha: “Në 39-tën Hysni Toska kishte ngritur mbi prefekturë një mitraloz, gjoja donte të godiste aeroplanët italianë”.

Njëkohësisht u shpreh se: “Hysni Toska ishte në karrocë. I hodhën një bombë dhe vetëm e plagosën. Ishin dy veta”.

Kur më erdhën këto dy të dhëna shumë të rëndësishme për këtë person që nuk qe beratas dhe për historinë lokale, kërkova në Muzeun e Luftës së qytetit ndonjë informacion më të plotë.

Atje ai nuk përmendej fare. Zinte vend një tjetër emërkeq, me të njëjtin mbiemër: Isa Toska. Këtë gjendje e riverifikoi për qëllimet e këtij shkrimi pak kohë më parë edhe studiuesja Marela Guga, autore librash historikë me frymë bashkëkohore, pas viteve nëntëdhjetë për shumë kohe edhe drejtoreshë e këtij Muzeu.

Doemos që këta dy, Hysni dhe Isa, qenë persona të ndryshëm, por atë kohë opinioni gjithkund, zyrtar apo popullor, që nga ish-veteranë të Luftës e deri politikanë apo drejtues vendorë, shprehej pa mëdyshje dhe pa asnjë dëshirë për ta verifikuar lidhjen e tyre fisnore: qenë xhaxha dhe nip, kriminelë të njëllojtë. I pari ishte vrarë nga partizanët në Fier, i dyti po nga partizanët në Berat.

Vrasja e të dyve konsiderohej punë pa asnjë mëkat: armikut i duhej dhënë plumbi ballit. Me kaq organeve zyrtare të kohës dhe shumë njerëzve ndërgjegjja u flinte rehat. Mirëpo “diktatura proletare” do të rrënohej dhe me hapjen e sistemit shoqëror do të ndodhte një rizgjim i vetëdijës kombëtare për ta çliruar historiografinë, sidomos atë të Luftës së Dytë Botërore, nga një gjysmë shekulli censurim dhe fshehjeje të rëndë të së vërtetave të plota.
U kuptua shumë shpejt, si vetëtimë, se vrasja e Isa Toskës qe një punë e vyer dhe ajo e Hysni Toskës një krim i përbindshëm. Por kjo e fundit, nga që ishte groposur thellë, duhej provuar me dokumente të shkruara dhe dëshmi gojore një për një. Kështu për qëndrimin ndaj rivlerësimit apo jo të Hysni Toskës ndodhën dy zhvillime paralele: njëri në Fier dhe tjetri në Berat. Qenë krejt të pangjashëm, madje të kundërt.

Në 1994, Shyqyri Toska, një nga pasardhësit e Hysniut, botoi në gazetën “Liria”, organ i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, shkrimin “Nacionalisti i shquar Hysni Toska”. Në 30 nëntor 1994 rehabilitimi historik hovi më lart: Hysni Toskës iu dha e drejta e statusit të ish-të Përndjekurit Politik. Në 13 janar 1998, TV Klan përkujtoi përvjetorin e krijimit të xhandarmërisë shqiptare dhe e radhiti Hysni Toskën ndër komandantët e saj të parë.

Në 13 janar 2003, me rastin e 90-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, figura e Hysni Toskës u përmend akoma më shumë. Në vitin 2007, në aktivitetin e përbashkët të Muzeut Historik Fier dhe Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, prof. dr. Liman Varoshi mbajti një kumtesë ku theksoi se Hysni Toska ishte “figurë kombëtare me orientim të qartë patriotik.” Në 10 nëntor të këtij moti, 2007, ish-partizani Llazar Bane, në ndjenjë pendese, publikoi në “Zërin e Popullit” shkrimin “Hysni Toska, krenari për kombin”. Në vitin 2008, prof. dr. Muharrem Dezhgiu botoi në revistën shkencore “Studime Historike” një artikull me titull “Aspekte nga veprimtaria politike e Hysni Toskës në vitet 1912- 1943”. Në 2010 Këshilli Bashkiak i Fierit (drejtuar nga socialistët), i vuri emrin e tij një rruge, kurse në 2012 në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, Këshilli Bashkiak i Roskovecit (drejtuar nga Partia Demokratike), i akordoi atij titullin “Qytetar Nderi”.
Por kulmimi i madh i rivlerësimit ndodhi këto ditë kur studiuesi Nuri Plaku, drejtor i Muzeut Historik të Fierit, botoi librin 295 faqesh “Hysni Toska në fokus historik” Për këtë temë në cilësinë e mbështetjes dokumentare dhe të argumentimit shkencor është tërësisht shterrues, i pakundërshtueshëm. Në nivelin e të shkruarit ky libër mbetet një krijim me dhunti rrëfimi të shndritshëm epik. Ky botim, përveç diturie, duhet konsideruar ngjarje e spikatur shoqërore, politike dhe madje demokratike. Ai e çliron përfundimisht kujtesën tonë kombëtare nga diversioni që i është bërë asaj me kryerjen dhe fshehjen e një krimi të madh: vrasjen e pabesë të një deputeti plak dhe të djalit të tij ende pa mbushur 17 vjeç.FIJET E INTRIGËS

Po të shohësh 364 faqet e daktilografuara të historikut të rrethit të Fierit, përgatitur para nëntëdhjetës, atje sapo për herë të parë përmendet emri i Hysni Toskës (konkretisht si bashkëpunëtor i ngushtë i Ismail Qemalit), në shpjegim të këtij fakti autorët e tekstit poshtë faqes (me numrin 9) kanë shkruar: “Hysni Toska, ish-kolonel i Zogut, armik i popullit”.

Ndërkaq në Berat kjo logjikë e të kaluarës njëpartiake nuk ka ndryshuar edhe për më shumë se një çerek shekulli nga nisja e jetës së Shqipërisë pluraliste. Dëshmi e fundit për këtë është një libër i ish-drejtuesit partizan dhe aktualisht kryetarit të Komitetit të Veteranëve të Luftës së Beratit, Orhan Frashëri. Titullohet “Shpiragu i trimërisë”. Mes të tjerash, duke rrëfyer për batalionin e Shpiragut dhe të Malit të Bardhë, ku qe komisar, ai shkruan: “Forcat e batalionit morrën pjesë në luftimet për çlirimin e qytetit të Beratit dhe në disa luftime të tjera.

Gjatë qëndrimit në qytetin e Beratit, batalionit iu ngarkua detyra për të goditur dhe asgjësuar disa agjentë dhe spiunë që ishin vënë në shërbim të fashizmit.

Duke u mbështetur në vullnetin e popullit, Këshilli Nacionalçlirimtar i qytetit e Shtabi i Qarkut kërkuan nga “Balli Kombëtar”, që të dorëzonin para gjyqit të popullit kriminelët e luftës.

Por krerët e Ballit e refuzuan këtë kërkesë. Një indinjatë të thellë në popull, shkaktoi mbrojtja nga ana e Ballit Kombëtar e togerit të milicisë fashiste Mehmet Demiri, që kishte torturuar e masakruar të rinjtë e qytetit dhe popullin e Shpiragut…”

Pak më tej autori spikat: “Meqenëse krerët e “Ballit” refuzuan për t’ia dorëzuar toger Mehmet Demirin Shtabit të Qarkut, ky ngarkoi një togë të partizanëve nga batalioni i Malit të Bardhë, për t’u dorëzuar, por toger Mehmeti nuk pranoi, dhe më pas nga shkëmbimi i zjarrit të armëve ai mbeti i vrarë”.

Menjëherë në vijim: “Po në qytetin e Beratit nga forcat e batalionit Mali Bardhë u rrethua shtëpia e komandantit të Ballit, oficerit të lartë dhe deputetit kolonel Hysni Toska, i cili luftoi deri në fund, sa më në fund u vra nga partizanët”.

Shkon më tej në rrëfimin e vet 94 vjeçari Orhan Frashëri: “Në lagjet e qytetit u kap dhe u vra agjenti dhe ndihmës federali i kuesturës Hajri Borshi. Më vonë u kap dhe u pushkatua kapteri i policisë fashiste Gjin Guce.

Të dy këta agjentë dhe njëkohësisht kuadro në policinë sekrete fashiste, akuzoheshin për tortura dhe vrasje ndaj të rinjve të qytetit. Vrasja e këtyre agjentëve dhe kriminelëve shërbeu si pretekst për krerët e Ballit Kombëtar për tu përgatitur dhe më pas për të goditur forcat partizane në qytetin e Beratit”.

Kjo ishte atmosfera kur ndodhi vrasja e Hysni Toskës dhe e të birit të tij të vetëm. Ndërkohë mund ta plotësojmë këtë tablo edhe me një hollësi tjetër. Në bisedën e bërë me ish-patizanin C. Xh., në 28 mars 1977, bëhet fjalë edhe për këtë episod: “Hekuran Toska erdhi në Berat. Nuk e dinte që e kishim marrë ne Beratin.

E ndalën dhe e hoqën zvarrë nga makina. Njëri e goditi me belxhik. Në kokë kishte vënë një shami që të mos njihej. Ja shtypën kokën me gur”. Ngjarja duhet të jetë e 10 shtatorit 1943, kur Italia fashiste sapo kishte kapitulluar. Këtë person e kishte dërguar me urgjencë Isa Toska që të merrte takim me komandën e garnizonit italiane, ndoshta për të marrë prej saj armë.

Mirëpo njësiti gueril i Beratit kur sapo patën hyrë në qytet në mirëkuptim partizanët dhe ballistët, kishte marrë të dhëna për ardhjen e tij dhe i bëri pritë në hyrje të qytetit, në afërsi të rrjedhjes së Osumit.

Herkuran Toska qe veshur si grua për të qenë i maskuar. Pasi i vra trupi i tij u hoq zvarrë deri tek breglumi dhe shtypja e kokës me gur iu bë aty. Hekurani ishte njeri i fisit të Isait dhe asnjë lidhje gjaku nuk kish me Hysniun. Por për Toskallarët e Fierit, për shkak të Isait, në Berat pulsonte një urrejtje e madhe.

Në 1875 Hysni Toska nuk pati lindur në Berat, por në Luar, sipas Nuri Plakut sot pjesë e bashkisë së Roskovecit, por “nga pikëpamja etnografike fshati përfshihet në zonën e Mallakastrës së Butë”.

Arsimimin e pati kryer në Berat në shkollën Ruzhdije të tij. Më pas u rikthye në Luar për të administruar punët bujqësore të familjes. Kur në qytetin e Beratit më 15 tetor 1908 u hap dega e klubit “Bashkimi”, thuhet në librin për të, bashkë me Babë Dudë Karbumarën, Neshat Vrionin, Sulo Resulin, Baki Gjebrenë e të tjerë, qe edhe Hysni Toska.

“Natën e 28 Nëntorit, vë në dukje Nuri Plaku, Hysni Toska ndodhej me forcat e tij të armatosura në qytetin e Lushnjës, për të përforcuar krahët e qeverisë së re që sapo lindte.

Po këtë datë, në orën 18.00 së bashku me grupin e patriotëve: Qazim Kokoshin, Dhimitër Kolean, Sulo Spatharën, Mehmet Dautin, Rasim Gjirokastrën, Kadri Zijain etj., uruan Ismail Qemalin me këtë telegram: “Të përndershmit Ismail Qemal Beut Vlorë.

Me plot gas marur nderjen t’urojmë ditën e shenjtë që fatlumturojë dhe shpëtojë Shqipërinë për të cilën kombi u numëron shpëtimtar. Rroftë Shqipëria. Rrofshin shpëtimtarët e saj.”

Bashkëpunues shembullor me Ismail Qemalin dhe Princ Vidin, kundërshtues i Esat Pashë Toptanit dhe i haxhiqamilistëve, këta të fundit e kërkojnë për ta vrarë (në 8 janar 1915 telegrami nga Tirana komunikonte: “Pritet prej jush me e afrue me një mënyrë Hysni Toskën për ta kapë gjallë dhe për ta nisë nën roje këndej. Në mos asht e mundun kjo mënyrë, mos i leni asnjë mënyrë shteg me hye aty dhe shiqoni me përfundue çashtjen në mënyrë tjetër.”)

Studiuesi Nuri Plaku në librin e tij jep informacion të plotë për bashkëpunimin e Hysni Toskës me forcat austro-hungareze me objektiv ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë. Në vlerësim Perandori Franc Jozef e dekoroi me “Medaljen e Trimërisë”.

Pjesëmarrës i vijës së parë në Luftën e Vlorës dhe më pas një ndër krerët e Xhandarmërisë Shqiptare, njeri i luajalitetit dhe i forcimit të rendit dhe të paqes mes popullit, Hysni Toska nuk u bashkua me Fan Nolin dhe atë që u quajt Revolucioni Demokratiko-Borgjez i Qershorit.

Pas triumfit qeveria noliste e mbajti disa kohë në punë si komandant xhandarmërie në Berat, por pastaj, nën trysninë e krahut radikal, e pushoi nga puna.

Pas kësaj Hysni Toska u rikthye në fshatin e tij të vendlindjes dhe hapi shkollën fillore në një ndërtesë pronë të tij, shtroi rrugët me kalldrëm dhe një linjë telefonike. Ndërkaq gjyqi për “faje politike”, i ngritur nga revolucionarët, vuri Hysni Toskën në bankën e akuzës, por siç rrodhën ngjarjet, kjo çështje nuk pati përfundim.

Në dhjetor 1924 po vinte Ahmet Zogu për ta rimarrë pushtetin dhe nga Fan Noli pati një kërkesë që Hysniu, të grumbullonte forca ushtarake e të bashkohej me të. Por një gjest të tillë e kundërshtoi, siç e argumenton Nuri Plaku, prefekti i Beratit, duke e cilësuar 49-vjeçarin si armik të qeverisë së tyre revolucionare.

Studiuesi Plaku dëshmon me hollësi si në periudhën e Zogut Hysni Toska qe në Parlamentin Shqiptar në tri legjislatura dhe pse nuk u përfshi më në zgjedhjet e 31 janarit 1937.

Gjashtëdhjetë e dy vjeçari tashmë e tutje iu përkushtua jetës familjare, “u gëzohej fëmijëve dhe veçanërisht djalit të vetëm, Skënderit 10-vjeçar, që vazhdonte shkollën në fshat dhe nuk ndahej nga librat”.

I biri i vetëm dhe njëkohësisht trashëgimtari i tij pati lindur në 1927 dhe emrin ia vuri në nderim të Skënderbeut. Nga gëzimi, edhe pse qe mysliman sunit, studiuesi Nuri Plaku tregon se Hysni Toska i dhuroi Manastirit të Shën Trifonit 200 rrënjë ullinj.

Ja edhe një detaj, fragment nga libri: “Një rëndësi të madhe i jepte Hysni Toska festës së flamurit. Në çdo 28 Nëntor, katër flamuj të mëdhenj valëviteshin në katër cepat e papafingos. Një tjetër vendosej në dhomën e miqve. Në të gjitha anët e avllisë digjeshin për gjithë natën shandanë me përzierje hiri dhe vaji.

Drekën e asaj dite Hysniu e kalonte me miqtë në Vlorë, kurse darkën e shtronte në shtëpinë e tij. Përveç të ftuarve qeveritarë që përbëheshin zakonisht nga prefekti i Beratit, nënprefekti i Fierit dhe komandanti i xhandarmërisë, ishin edhe pleqësia e krahinës, veçanërisht ajo e Luarit.

Ishte më shumë se një dasmë. Këndohej gjithë natën, sidomos për Ismail Qemalin, puthej flamuri dhe qëllohej me armë”.

“O Skënder, o biri im,
S’pate fat për Shqipërinë”.

Nuri Plaku shkruan: “Më 6 prill 1939,-thuhet në historikun e fshatit Vidhishtë,-kur Italia fashiste erdhi për të pushtuar vendin tonë, burrat e fshatit u mobilizuan prej Hysni Toskës dhe i dolën ushtrisë përpara për ta pritur me pushkë.”

Më tej: “Për në Vlorë u nisën vullnetarë edhe nga Fieri, Semani, Pishë Poro, Berati e krahina të tjera të vendit. Në krye të forcave vullnetare Hysni Toska, së bashku me të nipin Jako Kumanin, shkuan në kodrat e Bestrovës dhe iu drejtuan një reparti ushtarak të atjeshëm për t’u armatosur.

Ushtarët dhe oficerët efektivë kishin ikur dhe aty kishin lënë vetëm rojet e shërbimit. Ata i thanë se armët ishin nxjerrë jashtë luftimit. Sipas kujtimeve të shkruara nga familjarët e tij, Hysniu nuk u besoi dhe u bëri thirrje t’i nxirrnin ato në emër të atdheut.

Njëri nga rojet, shofer ushtarak, hapi garazhin, ndezi njërën nga makinat e ngarkuara me armë dhe e pruri para vullnetarëve. “Armën e parë e kapi vetë Hysniu.

Pushka ishte me gjilpërë të hequr. Mori një tjetër. Edhe ajo ishte me gjilpërë të hequr. Rrëmbeu një tjetër … edhe një tjetër … Të gjitha ishin jashtë luftimit. Pastaj u ul në gjunjë i dëshpëruar dhe qau.”

Ky moment është përjetësuar në një këngë mallakastriote, e cila në pamundësi për t’u kënduar publikisht nga censura e kohës, është kënduar nën zë si ninullë djepi. Kënga përshkruan momentin e përlotjes së Hysniut dhe dialogun me të nipin, Jako Kumanin, i cili i jep zemër për vazhdimin e luftës dhe ngritjen e flamurit shqiptar.

Është interesante edhe përgjigjja e Hysniut i cili në kulm të dëshpërimit përmend të birin, Skënderin që “spati fat për Shqipërinë”.

Ja teksti i plotë i kësaj kënge:
Ç’ke moj Shqipëri e mjerë?
Hysni Toska burrë i ndjerë,
Hysni Toska burrë besnik,
E mbërthen luftën pa frikë,
Në ullishta përmbi Vlorë,
Me të dalë në Bestrovë,
U hodh Jakua i tha një fjalë:
Pse po qan more dajë?!
Përsëri do kthenemi,
Do varim flamur të ri.
Ç’ke që qan, moj gjeraqinë?
-Më vjen keq për Shqipërinë.
Shqipëria një pëllëmbë,
I ngriti trimat në këmbë
O Skënder, o biri im,
S’pate fat për Shqipërinë”.

Vazhdon historiani Nuri Plaku rrëfimin e këtij momenti shumë tronditës: “Pas tërheqjes nga Bestrova,-kujton e bija, Erveheja,-Hysniu u kthye në shtëpi i lodhur e i dëshpëruar. Hypi në papafingo dhe qau si fëmijë. Mallkonte Zogun si tradhtar. Mori bustin e tij që mbante në dhomën e papafingos, e përplasi në oborr dhe e bëri copë – copë.”

Po ato ditë, Hysni Toska u nis për në Berat. Atje, së bashku me patriotë të tjerë organizuan një takim me popullin ku folën për tradhtinë e Zogut dhe rezistencën antifashiste. Ai e damkosi Zogun me epitetin e turpshëm “faqezi”.

Këtu mund të përfshijmë, në plotësim të të dhënave të shumta të librit të Nuri Plakut, edhe episodin që autorit të këtij shkrimi i pati rrëfyer në 28 mars 1977 ish-partizani C.Xh: Hysni Toska tek u drejtonte grykën e një mitralozi aeroplanëve italianë që nxinin qiellin.

Kështu si veproi, siç edhe argumenton historiani Nuri Plaku, “nuk mund të mos vihej re nga pushtuesit italianë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Emri i tij ishte i skeduar që në Luftën e Parë Botërore dhe në Luftën e Vlorës më 1920…Nga ky rrezik, në fund të prillit 1939 u tërhoq për t’u strehuar në krahinën e Skraparit.

Më 2 qershor 1939, mëkëmbësi i Mbretit italian Viktor Emanueli, Françesko Jakomoni, nxori dekretin për krijimin e një komisioni për internimin e patriotëve shqiptarë që bënë qëndresë ndaj pushtimit. Hysni Toska u arrestua në fund të vitit 1939. Në librin e Nuri Plakut thuhet se kjo ndodhi “në Therepel të Skraparit dhe pas disa ditësh u dërgua në burgun e Vlorës e më pas në atë të Durrësit. Nga Durrësi u dërgua në Brindisi, e prej aty u transferua në Gaeta.

Në muajin mars të vitit 1940 u internua në ishullin Ventotene në detin Tirren, së bashku me 226 patriotë të tjerë, aktivistë dhe familje shqiptare. Në një listë të internuarish, nxjerrë nga Komanda Superiore e Karabinierisë Mbretnore, më 5 prill 1940, drejtuar Zyrës Politike më 8 prill 1940, bëhej fjalë për internimin politik të Hysni Toskës me numër rendor 198”.

Vijon autori: “Më 7 qershor 1942, qeveria italiane shpalli amnisti të përgjithshme për të gjithë antifashistët shqiptarë. Në këtë amnisti u përfshi edhe Hysni Toska”.

Më pas: “Për shkak të moshës së tij të thyer… Ai u kthye nga burgu i plakur e i dobësuar së tepërmi.

Në shtëpi gjeti një gjendje ekonomike jo të mirë, për shkak të mungesës së tij të gjatë dhe krizës së luftës. Veç kësaj, rrethanat e luftës kishin nxjerrë një tjetër figurë në Luar, diametralisht të kundërt me të, Isa Toskën”.

Prej këtu, kësaj përmbysjeje në mundësinë e mirëkontrollit të terrenit ku jetonte dhe historikisht pati vepruar në vijë të parë të protagonizmit lokal e kombëtar, nis e përvijohet, si një siluetë ciklopi, personi monstruoz, në emër të të cilit intrigantët më pas, mes komunistëve dhe ballistëve, do të manipulojnë ciklin e vrasjeve të Hysni Toskës dhe familjes së tij.j.j