Nga Mero Baze/

Në mungesë të fuqisë politike dhe ideve për të qenë një alternativë, në PD shfaqen gjithnjë disa zara të cilët lënë gjithnjë një datë, ose afat për revolucion, me përmbysje dhe dhunë. Më i shquari mes këtyre idiotëve mbetet Sali Berisha, por atij nuk po ja vë më njeri re, se e ka tik nervor, ngaqë është rrëzuar me dhunë nga pushteti njëherë, pasi provoi të qëndronte me dhunë. Më tej ka zëra inferiorë të periferisë, që nuk e di pse kanë keqkuptimin që PD është një parti që po të dojë, ja del me forcë.

PD në historinë e saj është një parti që e ka përdorur dhunën si mjet politik, por vetëm kur është në pushtet.

Kur është në pushtet, PD trimëron banditët e saj, dhunojnë kundërshtarët, rrahin gazetarë dhe politikanë, djegin redaksi dhe hedhin makina në erë, dhe shpërblehen për këtë. Është llogjikë primitive e një partie burracakësh.

Por PD nuk është ndonjë parti që mund të konsiderohet e forte, nëse përballet me dhunën.

Kur pushteti i PD degradoi në vitin 1997, të gjithë këta të fortët e sotëm, ja mbathën në Qafë Thanë sapo dëgjuan pushkën e parë. Këmbë njeriu nuk gjente dot Sali Berisha për muaj të tërë, jo më në Tiranë, por as në Shqipëri. Dhe gruaja dhe kalamajtë e tij, e lanë vetëm.

Këta që trimërohen se do përmbysin pushtete e do heqin njerëz zvarrë, kanë mbushur brekët dhe nga telefonata anonime, e jo më nga dhuna fizike.

Vetë PD dhe pushteti i saj u shkërmoq për 24 orë përballë dhunës së protestave popullore më 1997, dhe Sali Berisha dështoi edhe në përpjekjen ushtarake kundër saj.

PD nuk ka asnjë histori të vetme trimërie të dhunshme, përveç historive të banditëve të saj kur është në pushtet, ndaj individëve, kryesisht gazetarë apo politikanë opozitarë.

Është pikërisht sindromi i pafuqisë, ajo që i bën të kërcënohen se janë të fortë. Është si ndjesia e të tredhurëve që flasin gjithë ditën për seks. Janë si ata meshkujt me krahë me tatuazhe dhe gjokse të fryra, që duan të të mbushin mendjen që nuk kanë asnjë problem me të qënit burrë.

Unë nuk di kush shqiptar mund të trembet personalisht apo politikisht nga Edi Paloka përshembull, që ja mbathi më ‘97 nga frika se doli Fatos Nano nga burgu. Dhe të mendosh që Fatos Nano është ndoshta njeriu më paqësor i politikës shqiptare për 30 vjet. Nuk po flas për këta surogatët e tjerë mendje-eksiq.

Edhe atë që ja quajnë PD-së grusht shteti më 1998, pas vrasjes së Azemit, vetë Berisha e ka pranuar dhe e përsërit vazhdimisht që ishte e orkestruar nga qeveria si kurth për të.

Tani kjo ideja që këta do bëhen një ditë të fortë, është shumë eksituese dhe nuk duhen dekurajuar. Rëndësi ka të bëhen një herë. Mos ua merni për ters dhe mos u jepni këshilla as për shtet ligjor dhe as për protesta demokratike.

Vetëm lërini të bëhen 24 orë të fortë dhe t’i turren “Bllokut” të sotëm.

Lërini t’i vënë zjarrin vilave të Gjirit të Lalzit, “Lagunës Blu”, “Rolling Hills”, apo kujtdo tjetër.

Do të jetë vërtet shpëtim, dhe nëse fitojnë, dhe nëse humbasin.