Nga Ibish Neziri/

Se duhet të bisedohet, nuk ka mëdyshje. Edhe e drejta zakonore parasheh bisedime në rast ngatërresash.

Sipas saj, po përpiqem të perifrazoj, „edhe 300 gjaqe e varrë n’u bafshin, prap duhet ulë në çergë“, pra, duhet biseduar për të gjetur zgjidhje më të mira se luftën.

Por këtu gjërat nuk janë edhe aq të thjeshta. U bënë vjetë që po bisedohet me Serbinë dhe asnjëherë nuk u raportua tërësisht se cilat janë rezultatet e bisedimeve, u realizuan marrëveshjet e mëparshme apo mbetën vetëm në letër, nëse u realizua ndonjë, cila është ajo, e plotë pikëpytje tjera.

Një ndër marrëveshjet me shumë rëndësi ishte edhe marrëveshja që Serbia të mos e pengoj anëtarësimin e Kosovës nëpër organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, dhe jo vetëm që kjo nuk u respektua asnjëhërë, por akoma më keq: Serbia vazhdon të jetë në ofanzivë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat rajonale e ndërkombëtare, madje është bërë edhe shumë agresive në përpjekje për t’i bindur shtetet që e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur, t’i tërheqin njohjet.

Nuk është respektuar as marrëveshja për shuarjen e strukturave paralele, ngase ato edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë shumë aktive, as ajo për heqjen e barrierave te ura e Ibrit që Mitrivicën e ndanë në mes, e as marrëveshja për energjetikën, për shkak të së cilës qytetarët e Republikës së Kosovës faninaciarisht në kontinuitet dëmtohen nga se që 20 vjetë radhazi nga buxheti i tyre edhe ashtu i varfër ua paguajnë rrymën serbëve të verit të Kosovës.

Tani me të madhe ka filluar të flitet se bisedimet do të përfundojnë këtë vit me arritjen e një marrëveshje për njohje të ndërsjellë mes Serbisë dhe Kosovës, por arritja e një marrëveshje të tillë edhe pse po thuhet se është afër, vërtetë është shumë largë dhe gati – gati iluzore, ngase qëndrimet nuk janë askund të përafërta.

Presidenti Hashim Thaçi edhe përkundër disa marrëveshje të deritashme, të dëmshme, me pasoja afatgjate për Kosovën, këmbëngul të jetë udhëheqës i bisedimeve me Serbinë, ndërkohë që pjesë të pozitës dhe opozita edhe ashtu e stërkequr me përjashtim të Vetëvendosjes, është herë kundër, e herë e paqartë.

Kryeministri, gjë që nuk do të duhej ta bënte, bisedimet pos që i la në dorën e presidentit ka filluar të loboj te opozita për konsenzus me këtë. Vendimi i kryeministrit që presidenti t’i udhëheq bisedimet duket të jetë e lidhur ngusht me interesin që i bashkojnë këta dy, por edhe ndonjë tjetër që e mbështet udhëheqjen e bisedimeve nga presidenti i republikës.

Në dhjetorin e vitit 2010 senatori zvicëran Dick Marty doli para Këshillit të Evropës me raportin e tij më shumë se absurd, për trafikim organesh, thua se ato ishin molla apo dardha që këputën nga degët, futën në xhep e trafikohen, duke e vënë dyshimin më të madh mbi emrin e Hashim Thaçit, ish drejtor i Drejtorisë Politike të UÇK-së e tani president i Republikës së Kosovës, çoj në themelimin, padrejtësisht, të Gjykatës Speciale edhe me pëlqimin e Kuvendit të Kosovës, për t’i hulumtuar krimet e pretenduara të UÇK-së, që është pretendim sui generis, të cilin mendja e shëndosh e njeriut nuk mund ta përthekojë.

Tani, po u shtrua pyetja se çfarë kanë të bëjnë Gjykata Speciale dhe udhëheqja e bisedimeve me Serbinë, nuk duhet bërë shumë përpjekje për ta gjetur përgjigjen.

Kjo gjykatë që nuk u funksionalizua deri tani, dhe që duket se nuk dotë funksionalizohet as në të ardhmën dhe kjo për shkakun se nuk ka çfarë të hetojë e gjykojë, pos nëse e përsërit skandalin e Gjykatës së EULEX-it e cila e gjykoj dhe e dënoj „Grupin e Drenicës“ për „një vrasje“ e cila nuk dihet as kur e as ku ndodhi dhe as kush qe i vrari e as kush qe vrasësi, presidentit Hashim Thaçi po i qëndron si vare mbi kokë që në çdo moment mund të shkëputet dhe ta godas, prandaj edhe këmbëngulja për ta mbajtur postin e kryenegociatorit deri diku edhe mund të kuptohet, nga se vetë emri i gjykatës dhe përmendja e shpeshtë e saj shkakton frikë, prandaj një protagonizim i presidentit edhe si kryenegociator në bisedimet me Serbinë, do ta neutralizonte Gjykatën Speciale në raport me të.

Por o do të duhej mundësuar kjo presidentit? Sigurisht se jo! Prapa tij janë një varg marrëveshjesh të nënshkruara me Serbinë dhe kompromisesh të dëmshme të cilat do të kenë pasoja afatgjata si vendet e rezervuara në Parlament, e tjera, si ajo për „Zajednicën“ pasoja të përhershme për funksionimin normal të shtetit të Kosovës.

Prandaj për shkak të këtyre kompromiseve dhe frigës së paarësyeshme nga Gjykata Speciale, që deshëm ta pranojmë apo jo, është e pranishme te presidenti, por edhe „kompromiseve të dhimbshme për Kosovën“, të paralajmëruara nga presidenti, presidentit nuk duhet lejuar udhëheqja e bisedimeve me Serbinë.

Kosova e ka bërë shumë kompromise të dhimbshme me Serbinë, por kompromisin më të dhimbshëm e ke bërë me Kushtetutën e Atisaarit duke hequr dorë nga e drejta për bashkim me vendin nga i cili padrejtësisht u shkëput në vitin 1913.

A nuk është ky kompromisi më i dhimbshëm dhe cilat mund të jenë kompromiset tjera të dhimbshme që sipas presidentit e presin Kosovën?

Kompromisi i radhës, siç është paralajmëruar fillimisht nëpër dhëmbë e pastaj edhe në shtyp, por i përgenjeshtruar më vonë nga njerëzit e presidencës, e dje edhe nga kryeministri është „amnistimi për krimet e luftës si pjesë e marrëveshjes!“

Çfarë do të thotë kjo më shumë se dorëzim para agresorëve serbë, të cilët edhe sot e kësaj dite po e vazhdojnë luftën e tyre kundër shqiptarëve, por me mjete tjera?

A mund të amnistohen gjithë ato krime të kryera gjatë luftës në Kosovë, të cilat asnjëherë me asnjë ligj nuk mund të falen e as nuk vjetërohen.

A do të duhej të kishte amnisti për gjithë ata fëmijë e ato gra të dhunuara nga pushtuesit serbë, cilat do të ishin kompromiset tjera të dhimbshme për të cilat do të duhej përgaditur Kosova, a do të duhej të lihej në dorë të dikujt, kushdo qoftë ai që është i gatshëm për „kompromise të dhimbshme“ apo edhe që bashkëjeton me frikën nga Gjykata Speciale?

A duhet t’i lihet udhëheqja e bisedimeve dikujt që në përpjekjen e tij për t’u treguar sa më bashkëpunues e tolerant me Serbinë është i gatshëm të bëjë si tha para ca ditësh „kompromise të dhimbshme për Kosovën“?

Sigurisht se jo, pos nëse e shpërndanë Parlamentin, i shpallë zgjedhjet e parakohshme dhe konkuron me platformë për bisedimet me Serbinë, duke treguar se ku don të dalë e çfarë don të arrij me të dhe e fiton mandatin për këtë në bazë të platformës konkurruese.

Atij edhe sot e kësaj dite i mungon një platformë për këto bisedime, madje edhe kur shkon në Bruksel për t’u takuar me Vuçiqin, duket qartë se shkon pa laps e pa letër, me duar në xhepa.

Presidentit, nëse nuk i shpall zgjedhjet e parakohshme, në të cilat do të duhej konkurronte me platformë për bisedime e marrëveshje me Serbinë, pos që duhet t’i pamundësohet udhëheqja e bisedimeve, duhet t’i pamundësohet madje edhe pjesëmarrja në to.

Do të ishte më e shëndetshme për të, por edhe për Kosovën, sikur ai vetë, pa asnjë presion të heqte dorë nga udhëhqja e bisedimeve dhe t’i shpallte zgjedhjet e parakohëshme. Bisedimet duhet t’i udhëheqin ekspertë, të cilët Kosova nuk i ka të pakët, gjithësesi në bazë të platformës së përgaditur dhe paraprakisht të aprovuar nga Parlamenti dhe të cilët rregullisht do të raportonin për rrjedhën e bisedimeve para organeve shtetërore të Republikës së Kosovës dhe këtyre t’u përgjigjen.

Përndryshe marrëveshjet do arrihen dhe kompromiset do të bëhën nën presionin e frikës së paarësyeshme nga Gjykata Speciale.