Kujtimet e qeshura e bëjnë ikjen më të vështirë, ndryshe nuk ka si shpjegohet që një pjesë e mirë e miqve e kolegëve të aktorit durrsak të humorit, Fadil Hasa, thuajse nuk flisnin dot dje pasdite, kur i telefononim, për të ndarë qoftë edhe një kujtim të kohëve të fundit nga miku e bashkëpunëtori i tyre i një jete të tërë.

Këtë tha miku i tij i ngushtë, regjisori Haxhi Rama, këtë tha edhe partneri i tij i skenës, Muharrem Hoxha. Për të dy, kolegët më të ngushtë që doemos kthehen në miqtë e jetës, ishte e vështirë të ndanin momentet e tyre të të qeshurave me të tjerët. U duhej më tepër kohë… Edhe kur dy vajzat e Fadil Hasës, Oerda dhe Blerona, i kërkuan Muharremit t’u kujtonte të paktën atyre një ngjarje që të kujtonin humorin e tij, ai nuk mundej.

“Nuk di ç’t’iu them, e kam pothuajse të pamundur të flas sot, kam nevojë për pak kohë. Sapo dola nga shtëpia e mikut tim dhe nuk kam mundur të shkëmbej dy fjalë as aty brenda. Ai nuk ka qenë vetëm kolegu im, nuk kemi shkëmbyer bashkë vetëm të qeshura për shkak të punës, kemi jetuar një jetë, më ka rritur vetë, në të gjitha kuptimet”, kaq mundi të thoshte Hoxha, bashkë me premtimin se do të na tregojë gjatë për mikun e tij e do t’u kthehet të qeshurave të tyre të gjata, sapo të mundet.

Edhe pse jo kaq i ekspozuar për publikun, por njësoj i afërt në passkenë, ka qenë për të regjisori Rama, që gjithashtu kërkonte të ndante vetëm disa kujtime të përqendruara, jo fjalë të gjata, siç i shkonin mikut të tij. Edhe aktori Mirush Kabashi pohon në fjalët që ka nisur nga jashtë shtetit, ku ndodhet këto ditë, se është dëgjuar me shokun e tij të vjetër në telefon, vetëm tri ditë më parë…

Aktori i Durrësit, Fadil Hasa, u nda nga jeta mëngjesin e ditës së djeshme, pas disa vitesh që luftonte me një sëmundje të rëndë. Fadili nuk kishte qenë në gjendje të rëndë në gjithë këtë kohë, ai nuk kishte hequr dorë nga humori asnjëherë. Edhe dy ditë përpara se të largohej, siç pohoi Muharrem Hoxha, i kishte bërë sërish familjarët të qeshnin me të madhe, siç do të bëjë të qeshin të gjithë shqiptarët, sa herë të dalin në ekran rolet e tij komike. Edhe nëse brezat e rinj nuk njohin shumë role të tij, mjaftojnë ata të tjerët, për të cilët Fadili ka qenë në ekran për vitet më të vështira, atëherë kur skeçet e tij, megjithëse përcillnin varfërinë, realitetin e kohës, të bënin sërish të qeshje.

“Në jetën time si aktor humori, kam pasur gjithmonë vëmendje të mos bëhem i përsëritshëm. Unë dhe gjithë kolegët e mi mbahemi mend, sepse kemi prekur ato probleme që populli i kishte çdo ditë në shtëpi, ky ka qenë sekreti ynë. Ne nuk kemi bërë kurrë humor për humor, nuk kemi thënë fjalë banale në humor. Ne ishim të edukuar në shpirt, se nuk ia vlen për një fjalë që publiku mund të qeshte edhe një herë më shumë”, ka thënë Hasa për rolet e tij të dikurshme në një intervistë të disa viteve më parë dhe sa më tepër kalojnë vitet, aq më vlerë marrin fjalët e tij apo kolegëve bashkëkohës, që mungojnë sot në skenën e ekranet shqiptare. Homazhet për të përcjellë aktorin Fadil Hasa bëhen sot, nga ora 10:00 deri në 11:00, në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Kërkuam dy fjalë edhe prej drejtorit të këtij teatrit, Bashkim Hoxhës, por edhe ai, i prekur siç ishte nga përgjegjësia e mbajtjes së fjalës së fundit në homazhe, po shtrydhte kujtimet për të nxjerrë më të mirën e për t’i dhënë lamtumirën, vetëm fizikisht, bashkëqytetarit e kolegut të tij.

ROLET DHE KARRIERA E FADIL HASËS

Fadil Hasa ka luajtur në një prej filmave më të bukur shqiptar “Mao Ce Dun”, me regji të Besnik Bishës. Pikërisht me këtë film, ai është vlerësuar edhe me çmimin “Aktori më i mirë”, në Festivalin e 13-të të Filmit. “Ai ka qenë një fat për mua, rrallë vjen. Interpretoja personazhin e Hekuranit, ka qenë një film, i cili u mirëprit nga publiku. Me këtë film, unë kam një kënaqësi të jashtëzakonshme, sepse në pesë festivale ndërkombëtare të filmit, sot po e them për herë të parë, 5 herë jam nominuar për çmimin si aktori më i mirë, në Festivalin e Filmit në Moskë, Egjipt, etj.”, ka thënë Hasa lidhur me këtë rol në një intervistë të disa viteve më parë. . Ai lindi në Krujë, më 8 prill 1940, dhe kreu gjimnazin “29 Nëntori” në Shkodër, ku u aktivizua në aktrim. Hasa u bë i njohur si aktor, me të dhëna të shprehura ndaj teatrit të varietesë qysh me grupin e Estradës Amatore të Portit të Durrësit (1963-1970). Falë aftësive të tij, në vitin 1970 u thirr si aktor profesionist në Estradën e Durrësit, ku punoi derisa doli në pension, në vitin 1993. Gjatë karrierës së tij, aktori i njohur ka luajtur mjaft role në komedi me një akt, skeçe, parodi e pantomime, dialogë dhe forma të tjera të shkurtra të estradës. Ndër to, u bënë të njohura për publikun e gjerë interpretimet e disa roleve, si: Latifi te “Sheqer-sheqer”, Rrema tek “Or ti i këshillit”,” Hamdiu te “Mysafiri i paftuar”, “Qyli” (monolog) etj. Fadil Hasa ka shënuar emrin e tij edhe në kinematografi. Ai ka luajtur në disa filma të suksesshëm si: “Zëvendësi i grave”, “Mao Ce Dun” (Hekurani, 2004), “Trapi i vjetër” (oficeri, 2005), “Lutje dashurie” (besimtar mysliman, 2005). “Artisti i Merituar”, vitet e fundit të jetës i kaloi në qytetin e Durrësit, ku edhe pse në pension, u aktivizua me disa shfaqje. Vitet e fundit, Fadil Hasa ishte thuajse tërësisht i tërhequr nga skena edhe për shkak të sëmundjes që i mori jetën.

HUMORI I INTERNETIT, ZHGËNJIMI I FUNDIT I FADIL HASËS

“Sot bëhet humor interneti dhe nuk më pëlqen, por dhe këtu ka një ndarje. Djemtë dhe vajzat e reja janë jashtëzakonisht të talentuar në interpretim, por brumi, materiali i humorit ka probleme. Mund të shikojmë një shfaqje një orë e gjysmë dhe nesër nuk kujton asgjë, sepse nuk janë ato probleme nga hallet e mëdha që ka populli sot. Tri minuta është një numër humori dhe nuk mund të zbërthesh të gjithë problemin, por të paktën t’i prekësh problemet që të thonë ‘bravo’. Ne sot rrimë në radhë dhe për të bërë një pasaportë, na del shpirti në radhë për të paguar një taksë makine etj., këto janë probleme që has shqiptari, që thotë ‘i lumtë goja atij Fadil Hasës’, që e preku këtë temë për humorin, por sot tema të tilla nuk ekzistojnë”, këto janë disa nga mendimet e fundit që Fadil Hasa ka lënë në lidhje me profesionin e tij të cilin, ndërsa thoshte këto fjalë, mbase edhe prej zhgënjimit o pafuqisë së sëmundjes, nuk e ushtronte më. Megjithatë, humori ngeli përherë pjesë e tij dhe ishte humori që dinte të bënte ai, i painfektuar nga “mençuritë” e kohës…