Presidenti Ilir Meta ka folur për herë të parë pas takimit të djeshëm me kryeministrin Edi Rama.

Kreu i Shtetit deklaroi se fokusi i bisedimeve ishte çelja e negociatave dhe marrëveshjet me Greqinë.

“Dëshiroj të theksoj rëndësinë e zgjidhjes së kësaj çështje, sepse është shumë e rëndësishme për të dyja vendet, jo vetëm si tejkalimi i një problemi të mbartur, por dhe si çelje e mundësisë dhe perspektivës për menaxhimin dhe shfrytëzimin e këtyre të mirave detare. Kështu që, të gjitha vendimet e institucionit të presidentit do të jenë në përputhje me Kushtetutën.

Rama nuk ka informuar për ecurinë e negociatave sepse nuk është përgjegjës i drejt për drejtë apo negociator i drejt për drejtë në këtë çështje. Thjesht kemi bërë vlerësim të situatës së deritanishme dhe të perspektivës për të ecur drejt mundësisë së finalizimit të një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur, gjithmonë në respekt të Kushtetutës së Shqipërisë dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Çështja e komunikimit deri tani ka qenë përsa i përket informacioneve të MEPJ pasi ajo ka qenë përgjegjëse”, tha Meta.

I pyetur për Gjykatën Kushtetuese, Meta tha se është e domosdoshme të kemi sa më shpejt një Gjykatë Kushtetuese funksionale dhe të përgjegjshme për ti dalë për zot Kushtetutës së vendit dhe gjithë debateve për kushtetutshmërinë e ligjeve.

“Nënvizoj dhe njëherë pas mjaft kohësh kërkesën që dhe KED të funksionojë sa më shpejt, për të vlerësuar kandidaturat që janë paraqitur në përputhje dhe me procedurat kushtetuese dhe ligjore”, vijoi ai.