Të ardhurat në buxhetin e shtetit nga taksat mjedisore u rritën me 8.64% gjatë vitit 2016, duka kapur vlerën e gati 48 miliardë lekëve.

Instituti i Statistikave raportoi se gjatë 2016-s, pesha e taksave që lidhen me energjinë, transportin dhe ndotjen llogaritet 3.24% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, krahasuar me 3.07% në vitin 2015.

Rritja është shoqëruar në të ardhurat nga të gjitha llojet e taksave mjedisore, ku dominojnë taksat e energjisë dhe të transportit. Taksat e energjisë, të cilat përfshijnë ato të karburantit të makinave, ato mbi prodhimet e energjisë në vend dhe format e tjera të energjisë, arritën në 24.5 miliardë lekë, nga 22.9 miliardë lekë një vit më parë.

Në rritje të lehtë janë edhe të ardhurat nga taksat e ndotjes mbi emetimet në ajër (jo CO2) dhe shkarkimet në ujë, menaxhimet e mbetjeve dhe zhurmës. Ato arkëtuan 1.88 miliardë lekë, një vlerë më e ulët krahasuar me vitin 2014, megjithatë e ngjashme për të gjitha vitet.

Ndërkohë, nga taksat e burimeve natyrore ku përfshihen shfrytëzimi i ujit, pyjeve, kafshëve të egra, etj, u arkëtuan vetëm 16 milionë lekë.