Në pesë muajt e parë të vitit të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1.3 miliardë lekë.

Sipas ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, këto të ardhura rezultojnë 18.2% ose 197 milionë lekë më shumë krahasuar me 5-mujorin e vitit 2017, dhe realizim në masën 83.3% të planit.

Të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto janë rritur me 242 milionë lekë, si rezultat i rritjes së sasisë së eksportuar me rreth 80 mijë ton.

Ndikim pozitiv prej 129 milionë lekësh dha edhe rritja e çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke sjellë rritje të rentës për njësi nga 3 lekë/kg në 3.5 lekë/kg.

Ndërkohë, të ardhurat nga mineralet e eksportuara kanë pësuar rënie në masën 77 milionë lekë për shkak të rënies së sasisë së eksportuar, me rreth 155 mijë ton.

Në rënien e të ardhurave me 99 milionë lekë ndikoi edhe rënia e çmimit të mineraleve në tregjet ndërkombëtare, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.