Këshilli i Ambasadorëve Shqiptare një organizatë e pavarur, jofitimprurëse u krijua rreth 2 muaj më parë me qëllimin për të analizuar marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë dhe kontribuar në përmirësimin e strategjive diplomatike të vendit. Iniciativa bashkoi 24 personalitete të diplomacisë shqiptare, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm ndër vite në marrëdhëniet ndërkombëtare. Presidenti i këtij këshilli, ish-ministri i Punëve të Jashtme Besnik Mustafaj ndodhet këto ditë Uashingtonin për takime me organizata të ngjashme që veprojnë në Shtetet e Bashkuara. Menada Zaimi e Zërit të Amerikës zhvilloi një bisedë në studio me zotin Mustafaj lidhur me synimet e kësaj iniciative, por dhe mbi zhvillimet politike në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj, cili është roli i kësaj organizate dhe si synoni ta zbatoni atë?

Besnik Mustafaj: Dua të them se kjo është e vetmja organizatë e shoqërisë civile që është realisht bipartizane. Në përbërje të saj kemi ish-ambasadorë me emërime nga e majta dhe nga e djathta. Ky është realiteti dhe kjo lidhet edhe me qëllimet që kemi. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë është një lloj think tank-u në mbështetje të politikës së jashtme të shtetit shqiptar. Ne nuk jemi as pro dhe as kundër qeverisë apo opozitës, por rast pas rasti do të gjykojmë politikën e jashtme, do të japim mendimet tona me shpresën se do të dëgjohemi.

Zëri i Amerikës: Historia ka treguar se sado e vlefshme të jetë ekspertiza, edhe pse nga diplomatë karriere, përsëri qeveritë e të gjitha krahëve kanë qenë të ngurta për ta thithur këtë ekspertizë. Si do ta përçoni ju atje?

Besnik Mustafaj: Ne do ta përçojmë në dy mënyra: përmes qëndrimeve publike, që do të mbajmë për ngjarje dhe hapa diplomatik ndërkombëtarë, që do të hedhë Shqipëria, si edhe në rastet, që do të na kërkohet ekspertiza jonë, në mënyrë konfidenciale diskrete në zyrat e shtetit shqiptar. Ne nuk kemi komplekse për t’iu përgjigjur pozitivisht ministrit të jashtëm, kryeministrit, presidentit apo kryetarit të opozitës.

Zëri i Amerikës: Ju thatë se nuk keni komplekse, por në një vend tejet të politizuar si Shqipëria, si mund ta zhvishni ekspertizën nga prirjet politike?

Besnik Mustafaj: Politika e jashtme ta jep këtë mundësi. Po iu them me bindje absolute se qëllimi ynë është pikërisht ky: ta nxjerrim politikën e jashtme shqiptare, të ndikojmë që politika e jashtme shqiptare të dalë jashtë debatit partizan të ditës e të partive, në mënyrë që të ruhet orientimi perëndimor i Shqipërisë, të ruhen vlerat që ka politika e jashtme shqiptare në proceset integruese të saj, Shqipëria të shfaqet dinamike në politikën e saj të jashtme, përfituese dhe kontribuese si anëtare e NATO-s dhe si anëtare e ardhshme e BE-së. Ky është qëllimi ynë. Sigurisht qëllimi është gjithmonë më i madh se sa rezultati, por ne shpresojmë që me këtë nismë të arrijmë një rezultat sa më të lartë.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj sot Shqipëria de-facto, nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Ende i duhet të konstituojë disa prej institucioneve të saj të rëndësishme si Këshillin e Lartë GJyqsor apo Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Çfarë mendoni se e mban peng procesin e reformës në drejtësi, apo zbatimin konkret të saj?

Besnik Mustafaj: Unë besoj se ka dy gjëra që e mbajnë peng: e para; qysh në fillim reforma është konceptuar dhe është reduktuar vetëm tek vetting-u, në mënyrë shumë teorike, pa marrë parasysh realitetet shqiptare. Mosmarrja parasysh e realiteteve prodhon këto ritme. Para pak ditësh dëgjuam një përfaqësues të institucioneve gjermane, i cili tha se nga rreth 800 prokurorë e gjykatës që do të përzgjidhen deri tani janë përfunduar më pak se 20. Me këto ritme ne do të kemi një sistem drejtësie të bllokuar për periudha shumë të gjata. E dyta: unë besoj se sadopak, është edhe vet ndikimi kryeministrit Rama, i cili synon të marrë në një mënyrë a në një tjetër, kontroll mbi sistemin e drejtësisë.

Zëri i Amerikës: Pra, ju po e vini në dyshim seriozitetin e qeverisë në procesin e reformës gjyqësore dhe në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit?

Besnik Mustafaj: Unë kam shumë fakte që më bindin në përditshmërinë e jetës që kemi ne në Tiranë, se Edi Rama nuk është i sinqertë në përpjekjet që bën ai në reformimin e drejtësisë.

Zëri i Amerikës: Por nuk e thoshte këtë gjë raporti i fundit i Brukselit, i cili theksonte se ka progres në këtë fushë, pavarësisht faktit, që hapja e negociatave shty për vitin tjetër?

Besnik Mustafaj: Ju më kërkuat mendimin tim dhe jo të citoj raportin, së pari. Së dyti, ka progres, por ai është aq i vogël sa është i pamjaftueshëm. Bllokimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është i rastësishëm, në analizën time. Duke bllokuar Gjykatën Kushtetuese të gjithë gjyqtarët që do të mbeten jashtë sistemit prej vettingut, të cilët në të drejtën e tyre mund të shkojnë në Gjykatën e Strasburgut, nuk do të mund të shkojnë atje pa u mbyllur cikli i gjykimit të tyre nga Gjykata Kushtetuese. Pra, de-facto bllokohet e drejta e ankimit të gjyqtarëve të përjashtuar nga kjo reformë.

Zëri i Amerikës: Një nga debatet e forta në Shqipëri lidhet edhe me fatin e Teatrit Kombëtar. Ka një ligj dhe pritet edhe vendimi i presidentit të Republikës nëse do ta dekretojë apo jo, dhe ka një presion të madh për të mos e dekretuar. U pa një mungesë transparence sesi qeveria shkoi deri në miratimin e këtij ligji, pse ndodh kjo?

Besnik Mustafaj: Kjo u bë në mënyrën e zakonshme që i bën kryeministri Rama në përgjithësi punët që i interesojnë; pra, pa transparencë, në mënyrë të shpejtuar dhe pa marrë parasysh mendimin e grupeve të interesit. Nuk është përjashtim mënyra se si u arrit deri tek ky ligj. Tani është në dorën e presidentit, por në të vërtetë, presidenti nuk ka gjë në dorë. Mosdekretimi e rikthen ligjin në parlament, sepse kaq janë kompetencat e tij kushtetuese.

Zëri i Amerikës: Pavarësisht kësaj, çfarë prisni ju që mund të bëjë presidenti?

Besnik Mustafaj: Ne jemi të dëshpëruar në këtë pikë. Ne nuk presim asnjë argument logjik se do të ndryshohet ky ligj.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj si e shihni ju çështjen e afrimit të Shqipërisë me Turqinë, në inaugurimin e fundit të presidentit Erdogan pamë kryeministrin shqiptar të shkojë atje, ndërkohë që munguan shumë udhëheqës europianë. Si e shikoni ju këtë afrim të Shqipërisë por dhe të vendeve të rajonit në përgjithësi me Turqinë?

Besnik Mustafaj: Duhet parë dhe duhet pranuar dhe për mua është një gjë e rëndësishme të thuhet me zë të lartë që Turqia është një partner i rëndësishëm i Shqipërisë në rajon, sepse jemi të dy vende anëtare të NATO-s si dhe një partner i rëndësishëm ekonomik. Nuk është në interesin strategjik të Shqipërisë tensioni me Turqinë.

Zëri i Amerikës: Por shohim një vend me prirje autokratike.

Besnik Mustafaj: Nëse do të bëja shkrimtarin këtu, do të thosha se kryeministri Rama ka një adhurim të madh për mënyrën se si qeveris presidenti Erdogan. Është e qartë se presidenti Erdogan nuk përfaqëson vlerat perëndimore, demokratike dhe humaniste. E dyta, kryeministri Rama është i vetmi kryeministër, i cili ka deklaruar publikisht se tentativa, që ndodhi para dy tre vjetësh është grusht shteti dhe u bë nga Gulen. Këtë nuk e ka thënë asnjë kryeministër i asnjë vendi tjetër të botës, sepse kjo gjë mbetet për t’u provuar nga drejtësia dhe nuk është provuar deri tani. Nga ana tjetër, ne kemi vënë re tentativa të kryeministrit Rama për ta mbështetur, për t’iu përgjigjur pozitivisht përpjekjeve që ka bërë presidenti Erdogan për ta transportuar edhe në Shqipëri debatin e tij të brendshëm me Gylenin. Kjo do të ishte e padrejtë dhe në dëm të Shqipërisë dhe do të ishte një sukses i Erdoganit.

Zëri i Amerikës: Duket sikur prirja tentohet të lidhet me nevojën për investime….

Besnik Mustafaj: Shqipëria është një vend i hapur dhe investimet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë. Nga presidenti Erdogan është tentuar blerje e vullnetit të shqiptarëve nëpërmjet investimeve. Në këtë rast ka një deformim të qëllimit të investimeve në një shoqëri të hapur dhe të lirë.