Adoleshentët mund të jenë autoritetete në mediat sociale, por ata nuk janë aq të mirë në identifikimin e reklamave: Sipas një studimi të Universitetit Stanford, 82% e nxënësve të shkollave 9-vjeçare nuk arritën të dallojnë ndryshimin midis lajmeve dhe “përmbajtjeve të sponsorizuara”.

Studimi mori vlerësimin e 7,804 nxënësve të shkollave 9-vjeçare, të mesme, dhe studentëve të kolegjeve lidhur me seriozitetin e lajmeve të ndara në Twitter, identifikimin e besueshmërisë së një fotoje të postuar në mediat sociale, dhe krahasimin e komenteve të bëra ndaj një lajmi për të vlerësuar forcën e tij. Një pjesë e materialit të përfshirë ishte e njëanshme, një pjesë keqorientuese, dhe pjesa tjetër thjesht reklama të paketuara hijshëm.

Sipas studimit, më shumë se dy të tretat e nxënësve të shkollave 9-vjeçare nuk arritën ta identifikonin si të njëanshëm një postim të shkruar nga një drejtor banke që argumentonte se të rinjtë duhet të kërkonin më shumë ndihmë mbi planifikimin financiar. Po kështu, rreth 40% e nxënësve të shkollave të mesme besuan një foto dhe një titull që sugjeronte se lulja margaritë e deformuar ishte dëshmi e kushteve toksike pranë centralit bërthamor Fukushima Daiichi në Japoni. Fotografia nuk kishte përfshirë asnjë burim apo etiketim të vendndodhjes.

Hulumtuesit gjetën se ajo që i çoi nxënësit të gabonin më së shumti ishin mesazhet me elemente të mëdha, që binin shumë në sy, të cilët priren të marrin më shumë vëmendje se burimi aktual i ngjarjes.
Adoleshentët, gjithashtu, “gjykuan besueshmërinë e njoftimeve në formë lajmi në Twitter bazuar në shumëllojshmërinë e detajeve që përmbanin apo nëse kishin të bashkangjitur një foto të madhe, sesa te vetë burimi,” raportoi Wall Street Journal.

Aftësia e lexuesve për të dalluar lajmet e vërteta dhe të rreme, apo lajmet reale dhe reklamat, është më e rëndësishme se kurrë. Si Facebook dhe Google janë kritikuar për rolin që mund të ketë luajtur lajmet e rreme në rezultatin e zgjedhjeve amerikane; secili prej tyre është zotuar të refuzojë reklamat nga faqet e lajmeve të rreme. Por faqet satirike, postimet militante, dhe reklamat mashtruese ende mund të depërtojnë.

Në Kolegjin Merrimack në Massachusetts, Melissa Zimdars, profesor i komunikimit dhe mediave krijoi një listë publike të burimeve të rreme, keqorientuese, dhe satirike të lajmeve. Lista përfshin adresa interneti (URL) tërësisht të pasakta si “abcnews.com.co” dhe “drudgereport.com.co”, por edhe faqe ngjarjet e të cilave janë thjesht me origjinë dhe burime të dyshimta.

Teknologjia mund të jetë në gjendje të frenojë disa nga impulset tona më të këqija online: miopinë militante, kërkimin e versionit të shpejtë e të tretshëm të së “vërtetës”. Por të mësuarit e të luftuarit të këtyre prirjeve qysh në moshë të re është mbrojtja më e mirë e mundshme.