Nga Kujtim Xhaja/

Sot do të shkruaj për pushimet e mia të verës dhe ç’vura re gjatë këtyre pesë ditëve qëndrim…

Sepse natyrës prej vrojtuesi nuk mund ti shmangem edhe atëherë kur jam me pushime.
Kësaj here vendosa të shkoj në një vend, I cili është fshirë nga lista e destinacioneve të preferuara të të rinjve shqiptar…Vendosa të shkoj në Golem…

U riktheva në këtë vend pas pesë vitesh mungesë dhe vura re që disa gjëra kishin ndryshuar për mirë. Me të vënë këmbët në zonën e përhershme, u ballafaqova me mikpritjen, buzëqeshjen e një burri kavajas, burrë fisnik e babaxhan, i cili na priti krahëhapur në vilën e tij, të cilën e kish përshtatur për turistët.

Ai na ofroi një dhomë shumë afër detit, me kushte të kënaqshme, e me një cmim të leverdisshëm, I cili nuk kish të krahasuar me cmimet e hoteleve ngjitur, apo për mos folur për cmimet në jugun e Shqipërisë. Ky është kulmi i sezonit turistik dhe cmimet si përherë arrijnë majat, por nuk duhet mohuar fakti që hotelet kishin përmirësuar ndjeshëm kushtet dhe shërbimet. Ajo çka të binte menjëherë në sy ishte mungesa e bashkëatdhetarëve tanë nga Kosova. Këtë vit, ata ishin më të paktë në numër. Duket se vendin e tyre e kishin zënë një numër i madh të huajsh, kryesisht polakë, gjermanë, sllovak dhe hungarezë…

Në tre resorte ngjitur me vilën tonë më cekte syri autobuzë, të cilët zbarkonin turistët e huaj ditë pas dite. Të rinj dhe të reja, burra dhe gra, familjarë me fëmijë…

I shihje nga të gjitha moshat. Kurreshtar të dija dicka më shumë për këta njerëz, bëj poshtë për nga resorti…

Cdo gjë duket e organizuar deri në detaj. Turistët i qëndrojnë besnikë një kompanie turistike, e cila ka lidhur bashkëpunim me një resort me emër në zonën e Malit të Robit, në Kavajë.

Të akomoduar me paketa 1-2 javore, ka edhe nga ata, të cilët e kanë vizituar disa herë këtë vend. Njerëz shumë kuriozë, shakatorë dhe të ndjeshëm pas cdo vogëlsie…

Ndryshe nga ne, të cilëve na pëlqen thjesht të shullehemi në diell dhe aq, ata preferojnë pushime më aktive. Mëngjesi fillonte me një kafe buzë detit, e cila ia linte rradhën rrezeve të para të diellit në pishinë, e më pas ekspeditat në zonat turistike, arkeologjike, kulturore të Durrësit dhe qyteteve të tjera. Më vonë e kish rradhën dreka me ushqimin tipik shqiptar, pas të cilit ata “linin kokën”, mbasditja, e cila I dedikohej ekspozimit në rrezet jo të dëmshme të diellit, e më pas darka. Një grup animatorësh të rinj polakë argëtonin fëmijët e turistëve me mini koncerte, lojëra dhe argëtime të tjera. Resorti mendonte për cdo gjë. Mesnata ish për “qeflinjtë” e kërcimit dhe shijimit të ndonjë gote vere.

Asnjë ditë nuk i ngjante tjetrës, organizatorët kishin menduar për të gjitha…

Duhet thënë se polakët janë njerëz miqësor, të hareshëm dhe me një sens delikat humori. Qëndrimi im afër atij resorti përkoi që me shumicën e tyre të krijoja marrëdhënie të mira shoqërore.

Po ju flas për njërin prej tyre… Ai quhej Nermin dhe vinte nga Polonia, një burrë rreth të dyzetave. Ja cilat janë përshtypjet e tij për këtë vend:
“Kam dëgjuar për Shqipërinë vetëm nga internet, e dija se ku i binte si vend, por më shumë më tërhoqi vëmendjen një artikull i një gazete të huaj, e cila i thurte lavde dhe fjalë të bukura vendit tuaj. Kjo është hera e dytë që vij me bashkëshorten dhe vajzën time të vogël. Kam mbetur shumë I kënaqur nga njerëzit e mrekullueshëm, ushqimi shqiptar është mjaft I shijshëm dhe padyshim ky resort ofron një shërbim special… Kam mbetur i mahnitur me historinë e këtij vendi”- shprehet ai.
Kudo të zë syri të huaj, në plazh, në shezlonge, në bar-et përreth, në rrugicat e zhurmshme gjatë mbrëmjeve.
Kush do ta kish menduar që një vend si Golemi, me aq pakënaqësi nga vetë vendasit, një ditë do të frekuentohej nga një numër aq i madh turistësh të huaj…
Ata nuk mjaftohen të qëndrojnë vetëm brenda përbrenda resortit. Dalin, kanë kërshëri të zbulojnë vendin, të shohin, të blejnë dhe të konsumojnë shqip. Kjo dyndje të huajsh është edhe në favor të tregtarëve dhe bizneseve të vogla të zonës…
Një tregtar i prodhimeve bio të zonës po më tregonte një interes të zgjeruar kundrejt produkteve të tilla nga turistët e huaj.
Një klub, I cili ofronte muzikë popullore live nga të gjitha trevat dhe krahinat e Shqipërisë, ishte më i pëlqyeri nga polakët.
Nuk kish kënaqësi më të madhe të shihje polakët dhe austriakët të kërcenin vallen e Kukësit, apo atë të Camërisë, por cdo gjë përfundonte në orën 24:00. Jeta e vonshme e natës këtu nuk ekzistonte… Pas këtij orari mbizotëronte qetësia…
Ky ishte Golemi… me të mirat dhe të këqijat e tij!
Nuk po flas për Dhërmiun, Jalën, apo Ksamilin…jo… është Golemi, ose më saktë, Mali I Robit. Këtë vend e keni dëgjuar shpesh në kronikat e lajmeve për ujin e ndotur, mungesën e këtij të fundit, e për shumë probleme të tjera. Madje, shumë nga miqtë e mi, të cilët e frekuentojnë këtë vend, kanë turp, ose kompleksohen të pohojnë që pushimet e tyre i kaluan pikërisht atje. Disa syresh që bëjnë foto breg të detit apo resorte rëndom e vendosin check-in-in e rrjeteve sociale në Dhërmi. Unë nuk vuaj nga ky kompleks! Madje e them me të madhe: “Pushimet këtë vit I kalova në Golem dhe I shijova deri në fund!”.