Nga Mero Baze

Flamur Noka nuk ka shkuar ndonjëherë në Teatër. Dhe mirë ka bërë, se nuk është në shijet e tij. Po të shtosh dhe faktin që ne, më keq se godinën, kemi vet trupën e Teatrit, Flamuri nuk del keq nga kjo histori.

Ai e ka njohur Teatrin vetëm kur Berisha në pushtet pas vitit 2007, i kishte varur çelësat e selisë në qafë dhe bënte emërimet. Aty ka pas punë me këta tipat që protestojnë, pasi u emëronte drejtorin, asistentët, punëtorët e skenës, apo çfarë kishte në dorë partia.

Sot në Komision, në fakt atij ju kujtua kjo periudhë që e ka lidh me Teatrin, koha kur ishte në pushtet, dhe e kishte Teatrin si bordero për badiavaxhinjtë që i rrinin rrotull selisë. Dhe siç ndodh në raste të tilla, nostalgjia për kohën e pushtetit të bën agresiv.

Ideja se sulmi fizik mbi Veliajn mund ta bënte Flamurin më të shquar se sa është, tregon se ai ka ende ambicje për të qenë më gomar.

Kurse ideja e Salianjit, se ai mund ta heqë namin e keq që nuk është burrë, për shkak se “ndyrësohet” duke u kruajtur me gardistët, në fakt ja shton namin e keq.

Teatri i tyre i shëmtuar sot në Komisionin parlamentar, është kompromentimi krye e fund i kauzës së shpikur për mbrojtjen e një godine dhe i dyfytyrësisë së PD-së, për të mos u marrë me transparencën e procesit, por me përpjekjen për të bllokuar idetë e kundërshtarit.

Një qytetar i zakonshëm që rri sot në shtëpi dhe sodit dy idiotë të PD-së, që duan të qëllojnë kryetarin e Bashkisë dhe ministren e Kulturës, të thirrur në Komision, pa i lejuar dhe të flasin, e vetmja gjë që i ngel në mendje është se PD ka frikë dhe të flitet për Teatrin. Dhe kjo vjen, ose nga fakti se ajo në Komision ka vetëm idiotë, që nuk ja dalin dot të kuptojnë çfarë thotë kryetari i Bashkisë, ose nuk do të dëgjohet e vërteta mbi Teatrin.

Teatri i dhunës në Komision, është nderi më i madh që mund t’i bëhet Erion Veliajt, i cili ka qenë i hapur të takojë gjithë aktorët, ata që ka pro dhe kundër, të darkojë me kundërshtarë publikë dhe të përballet dhe me skena të tilla që rrezatojnë vulgaritetin e PD-së.

Beteja e vërtetë e opozitës në çështjen e Teatrit, nuk është as projekti i ri, as historia e vjetër e tij (sidomos për PD ajo historia e vjetër e Teatrit Popullor është qesharake), por është forma ligjore si po bëhet dhe transparenca e procesit.

PD është në betejë politike dhe jo artistike me pushtetin. Vendimin për arkitekturën dhe projektin e ri, e marrin ekspertët dhe atë projekt e ka fituar një nga studiot më të mira në botë. Opozita nuk është as juri artistike, as komision tenderi, por roje e parave publike dhe ligjeve përmes të cilave realizohet një projekt. Dhe me atë është e lirë të merret.

Duke mos u marrë me të, për arsyet e saj, dhe duke u marrë me hallet patetike të një pjese të aktorëve, ajo thjesht është duke bërë teatër në komision. Një teatër për t’u dukur sikur është me Teatrin.j.j