Nga Luçiano Golemi/

“Jo me kullë, jo pa kullë. Jo na falsifikuan firmën, jo s’na falsifikuan firmën, jo po na rrëmbejnë territorin, jo po të ndërtohet brenda territorit. Më mirë i ri…jo…më mirë ashtu si është.

Togfjalëshe të tilla janë tepër funny në lëmin e rrjeteve sociale, nga ato ku adoleshentët komentojnë për ndeshjet botërorit, për stimulimet e Neymari-t apo për sallat play-station ku dikujt si punon ‘X’-si, dikujt doreza.

Por argumentime të tilla nuk mund të jenë pjesë e një debati dinamik dhe intelektual të shoqërive moderne dhe me iniciativa integruese drejt BE-së.

Debati që duhej të zhvillohej në hapësirën e një grupi të mirëfilltë specialistësh, arkitektësh, dhe artistësh, falë bujarisë së tepruar të Kryebashkiut Veliaj u dha hapësirë një grupi “gjithologësh”, të bënim debate non-sens, duke krijuar insinuata dhe retorika vulgare pa asnjë argument fin e profesional:

Pse pro dhe pse kundër ndërtimit të një teatri të ri?

Tentavita për t’ju afruar modernes shpesh-shkakton kaos, ashtu si për parkun fëmijëve, apo për projektin gjigand të sheshit “Skëndërbej” nuk pati pak zhurmë, nuk pati pak protestues “paqësor”; me koburre në brez, por në fund fitoi modernja, fitoi urtësia (mençuria), si emblemë e gdhendur e qytetarisë.

Sot, në debatin për teatrin e ri, për të cilin Tirana jo vetëm ka nevojë, por që ja kanë borxh, dhe në një kohë kur lista e artistëve sa vjen e zgjerohet pro një teatri të ri, protesta është “ridimensionuar”.

Mbarëvajtjen e saj e ka marrë kasti i (aktorëve) deputetëve demokrat të cilët kanë vetëm një parrullë:

“Mafia po rrëmben teatrin.”

Po si, pse? Qesharake!

Teatri i ri kombëtar nuk ka asnjë vlerë arkitektonike, por thjesht dhe vetëm shpirtërore shprehen artistët, dhe për këtë fare mirë mund të ngrihet një muzeum brenda teatrit të ri, si një simbolikë e bashkëjetesës së modernes me të vjetrën.

Po këto argumenta, të diskutueshëm natyrisht, nuk përfshihen në axhendën e opozitës.

Mjafton sherri, batutat, rrëmuja si një rol i përkyrer, që demokratët e kanë interpretuar shumë herë dhe për fatin e keq të tyre, nuk kanë marrë asnjë duartrokitje.

Ky rol i vjetër, në tragji-komedinë e re nuk ka për ti pëlqyer asfare publikut sepse e dinë që teatri po e ndihmon PD-në dhe jo PD-ja teatrin.

Kauza e Teatrit po kthehet në çadrën e rradhës për demokratët dhe aktorët e Bashës, si një “skenë” për të mbajtur gjallë euforinë e sforcuar të një force të mekur politike…!