Vijon mbështetja direkte për fermerët duke u ofruar teknologji moderne, aparatura dhe mjediset e duhura për përmbushjen e kushteve optimale të garancive për tregun e brendshëm e të huaj, përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural. Kryeministri Rama ka publikuar në ERTV rastin e fermës blegtorale “VJEN” në Grabian të Lushnjes, me një sipërfaqe prej 55 mijë metrash katror dhe kapacitet mbi 600 krerë lopë, që numëron 40 të punësuar.

Aktualisht në fermë po punohet për një sistem teknologjik të menaxhimit të fermës që sipas Drejtores së AZHBR-së, Frida Krifca, do ta shndërrojë nga një fermë të standardeve kombëtare në fermë të standardeve të Bashkimit Europian, model për gjithë rajonin ku ende nuk është aplikuar kjo teknologji. “Ne kemi një kontratë me këtë subjekt për masën numër 1, investime në fermë, përmes programit IPARD që pritet të përfundojë brenda muajit maj. Sistemi i ri i mjeljes është një teknologji e importuar nga jashtë që po instalohet. Dhoma e mjeljes do të jetë një hapësirë shumë e madhe”, tha Krifca. Kryeministri Rama shkruan në facebook se në vitin 2019 eksportet bujqësore shënuan rritjen rekord me 8.98 %, krahasuar me vitin 2018.