Ardhja e turistëve skandinavë është shenja më kuptimplotë e transformimit që po ndodh në Durrës.

Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama në një takim me operatorë turistikë në Durrës.

Kryeministri theksoi se Qeveria është në mbështetje të plotë të sektorit të turizmit dhe është gati të bëjë më shumë për ta promovuar atë.

“Transformimi në Durrës ka nisur vetëm pak vite më parë, dhe mori hov kur ne erdhëm në qeverisje. Ishim në një vend ku këtu, në zemër të potencialit turistik të vendit, ujërat e zeza derdheshin në det. Këtu ku jemi sot dhe aktualisht kemi para syve një panoramë që nuk ka ansjë dallim nga ajo në Mesdheun turistik, ishte kënetë, ku të vetmit turistë gjthëvjetorë ishin leshterikët dhe ca rrënoja”, tha Rama, ndërsa vlerësoi transformimin që është bërë në bashkëpunim me bashkinë e Durrësit.

Kur ne erdhëm në qeveri, theksoi Rama, “kthyem turizmin nga një parullë boshe në një investim strategjik në politikën tonë”.

“Sot jo vetëm që nuk derdhen më ujërat e zeza, por po bëhet investimi për ujësjellësin, që do të furnizojë me ujë të pijshëm të gjithë këtë zonë që ka qenë me ‘etje’ historikisht”, tha Rama.