Debati për kufijtë e Kosovës ka shkaktuar shumë reagime brenda dhe jashtë Kosovës.

Në debat është përfshirë edhe Sali Berisha, që është sulmuar ashpër nga ana e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ndërkohë që edhe shumë eksponentë të politikës nga PD dhe jo vetëm, janë përfshirë në këtë debat, i vetmi që nuk ka reguar dhe që ka heshtur është kreu i PD –së Lulzim Basha.

Basha ka heshtur edhe pse presidenti i Kosovës Hashim Thaçi hodhi akuza të rënda ndaj Berishës.

Reagime të ashpra pati dhe nga deputeti demokrat Tritan Shehu, ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, nga aleatë të PD si LSI, Partia Demokristiane dhe jo vetëm.

Shehu vlerësonte rolin e Berishës në të gjitha proceset që ka kaluar Shqipëria dhe Kosova.

Ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj tha se presidenti kosovar, Hashim Thaçi, pas deklaratave për korrigjim të kufijve me Serbinë, duke përfshirë në territorin e Kosovës Luginën e Preshevës, gjendet përballë një presioni shumë të madh politik dhe publik.

Sipas tij, ka qenë pikërisht kjo gjendje e rënduar psikike që ka shtyrë Thaçin të sulmojë Berishën.

Edhe LSI ka marrë në mbrojtje Berishën.

Petrit Vasili e ka shpallur presidentin e Kosovës në emër të LSI-së, si armik të shqiptarëve.

Berishën e ka marrë në mbrojtje madje edhe vetë Nard Ndoka.

“Ka ardhur koha që politikanët kosovarë që kanë marrë pjesë në luftë, të largohen nga politika, po bëjnë pis Kosovën dhe Shqipërinë”, ka shkruar Ndoka.

I vetmi që nuk ka reaguar, është kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Dhe jo vetëm për këtë rast në fakt.

Duket se ai ka marrë pushimet, pasi që prej dy javësh, kur u shfaq në një bashkëbisedim me gazetarët, nuk ka bërë asnjë reagim publik.

Madje as në rrjetet sociale.

Si duket pret shtatorin që t’i rikthehet jetës politike. /Tema