Tirana Art Fest” është kthyer tashmë në një traditë të bukur artistike, ku protagonistë janë të rinjtë dhe pas pak minutash do të performojnë në sheshin “Skënderbej”.

Shfaqja më e madhe e talenteve nga gjimnazet e Tiranës vjen për të tretin vit radhazi në të gjitha gjimnazet e Tiranës (publike dhe jopublike), të rinj nga mosha 15 deri në 19 vjeç, do të performojnë në tre disiplina të ndryshme: muzikë, kërcim dhe multimedia.

Pas 3 muajsh prova, audicione, minispektakle, sot do të mësohen edhe shkollat fituese në kërcim, këngë dhe multimedia .

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj si mbështetës i të rinjve u ka bërë thirrje kryeqytetasve të mos humbasin shfaqjen më të madhe të talenteve.

“Mos e humb pas pak “Tirana Art Fest” në sheshin “Skënderbej”, shfaqjen më të madhe të talenteve nga gjimnazet e Tiranës. Merr miqtë dhe eja brohorit për shkollën tënde”, shkruan Veliaj në rrjetin social “Facebook”.

“Tirana Art Fest” synon të risjellë gjallërimin e jetës kulturore-artistike rinore, këtë herë me përfshirjen e më shumë gjimnazeve publike dhe jopublike me risi në secilën kategori konkurruese. Përfshirja e të rinjve në rrugën artistike, pritet që të ketë një impakt pozitiv në fuqizimin e luftës ndaj bullizmit, alkoolit, drogës, duhanit, dhunës si dhe fenomeneve të tjera negative.j.j