44 plazhe që gjenden në bregdetin shqiptar, janë pjesë përbërëse e 100 fshatrave që janë përzgjedhur në programin kombëtar për zhvillimin e agroturizmit.

Qeveria ka nisur tashmë mbështetjen e ekonomisë jobujqësore në të paktën 100 fshatra të cilat janë pjesë e një program multi zhvillimor 4 vjeçar.

Në listën e fshatrave të përzgjedhur janë zona rurale që njihen tashmë si destinacione turistike nga Dardha, Voskopoja, Razma, Bosboshtica, për të vijuar më pas me fshatrat tipike turistike bregdetare në veri të vendit si Ishull-Lezhë, e më së shumti në jug të vendit që lagen nga deti Adriatik dhe Jon, siç janë Shënvlash, Zvërnec, Plloçë, Kaninë, Dhërmi/Vuno, Lukovë, Mesopotam, Himara, etj në jug të vendit.

Programi i 100 fshatrave synon të koordinojë ndërhyrjet zhvillimore në hapësirën rurale të 100 fshatrave, sipas qasjes ndërsektoriale dhe me shumë aktorë.

Qasja e integruar për zhvillimin rural targeton objektiva të matshëm për zhvillimin e hapësirës rurale, nëpërmjet fokusit të qendërzuar të investimeve publike, atyre të donatorëve dhe investimeve private, në hapësirën e mirë përcaktuar të 100 fshatrave, me potenciale të larta zhvillimi ekonomiko-social, agroturizmit dhe turizmit rural, natyrës dhe mjedisit si dhe të trashëgimisë kulturore, shtuar këtu edhe potencialet turistike bregdetare, për fshatrat që gjenden pranë plazheve të mrekullueshme shqiptare.