Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Murat Ahmet Yörük zhvilloi një vizitë në Berat, ku u prit nga kryebashkiaku Petrit Sinaj.

Qëllimi i vizitës ishte diskutimi mbi forcimin e lidhjeve të bashkëpunimit ndërmjet Ambasadës Turke dhe Bashkisë Berat, duke u fokusuar në tri prioritete zhvillimi: turizëm, arsim dhe bujqësi.

Në takim u diskutua mbi mundësi konkrete investimesh në fushën e turizmit, mbështetje për sektorin e biznesit turistik dhe forcimi i kapaciteteve të stafeve të biznesit turistik.Në fushën e arsimit dhe të çështjeve sociale u diskutua mbi mbështetjen e shkollave profesionale, si dhe për dy qendra sociale për fëmijët me aftësi ndryshe.

Sektori i bujqësisë mbetet një sektor me interes për investime, kryesisht në produkte të tilla, si: ulliri dhe vaji i ullirit, qershitë, pemëtaria dhe produktet e agrobiznesit.

Gjatë takimit, palët shprehën vullnetin e tyre maksimal për të implementuar projektet e zhvillimit për Beratin nëpërmjet Agjencisë Turke për Zhvillim TIKA, por edhe përmes investitorëve turq, duke i konsideruar këto investime si forcim të lidhjeve historike dhe kulturore ndërmjet dy vendeve.

Të pranishëm në takim ishin gjithashtu edhe atasheu ekonomik dhe ai kulturor turk, si dhe përfaqësues të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri – Turqi, dega Berat.j.j