Nga Alfred Peza/

Përgjatë 52 javëve kalendarik të një viti, ka prej tyre që janë të rëndësishme për shkak të datave, ngjarjeve dhe festave që përkojnë brenda hapësirës kohore të 7 ditëve të saj, sikundër ka edhe më pak të rëndësishme apo të zakonshme e për tu harruar. Ka javë të tjera që bëhen të rëndësishme, për shkak të zhvillimeve të reja e të bujshme që ndodhin krejt papritur, duke u lidhur pazgjidhshmërisht pas kësaj nëpër histori, me fatin e datave dhe ngjarjeve që nis e bart brenda saj.

Njëra prej këtyre javëve të rëndësishme, është kjo që kemi përpara. Për shkak se ajo starton me një festë të rëndësishme për besimtarët muslimanë shqiptarë, siç është Nata e Kadrit (e dielë, 10 qershor 2018). E për të vijuar më pas, me fundin e Muaji të Ramazanit. 15 Qershori, është një ditë e shënuar për besimtarët e fesë islame. E premtja e kësaj jave nis në orën 06.00 me faljen e Bajramit, duke shënuar në vijim, ditën e Parë të Fitër Bajramit.

Kjo javë ka qenë e shumëpritur edhe nga dy miliardë besimtarët e një “feje” tjetër në të gjithë botën, e cila ka idhtarë të shumtë edhe në Shqipëri. Bëhet fjalë për futbollin. Për ngjarjen më të rëndësishme sportive të këtij viti. E cila starton të enjtjen e kësaj jave, më 14 qershor 2018. Eshte dita kur ngre siparin Kampionatit Botëror i Futbollit “Rusi 2018”. Një ngjarje e cila për 30 ditë me radhë, pritet të eklipsojë jo vetëm zhvillimet politike, por edhe shumë zhvillime të tjera të rëndësishme jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon e në të gjithë botën.

Kjo është gjithashtu java kur pritet të qartësohet zyrtarisht, njëra prej zhvillime më të rëndësishme, që ka dominuar jo vetëm jetën politike, por edhe atë mediatike e publike të muajve të fundit në Shqipëri. Duke qenë se nuk mbërriti javën e kaluar kur edhe ishte paralajmëruar, me shumë gjasë në shtatë ditët në vijim, pritet të vijë përgjigja nga laboratori kriminalistik i Romës, për autenticitetin e audiopërgjimit të pretenduar të Albert Veliut ose Babales, me vëllain e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Një përgjigje që me siguri do ti japë fund një telenovele me përgjime, intervista, akuza, kundërakuza për trafik droge me mbështetjen e qeverisë dhe manipulime për efekt të luftës së egër politike, deri në kufijtë e absurdit në Shqipëri.

Kjo është java kur pritet të vendoset fati juridik i ish Kryeprokurorit të Republikës Adriatik Llalla dhe Kryetarit në detyrë të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të japi vendimin ditën e parë të javës, nëse ish kreu i organit të akuzës do ti nënshtrohet “vettingut”, ose e thënë ndryshe hetimit administrative të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit. Ndërsa z. Dedja, kreu i organit më të rëndësishëm gjyqësor të vendit,- një institucion i paralizuar prej disa kohësh për mungesë anëtarësh,- pret të mësojë nga Komisioni i Posaçëm i Kualifikimit, fatin e mëtejshëm të karrierës së tij në sistemin e ri të drejtësisë.

Këto dhe zhvillime të tjera, më pak apo po kaq të rëndësishme që pritet të ndodhin në ditët në vijim, e bëjnë këtë javë një nga udhëkryqet më interesante të rrugëtimit tonë përgjatë 52 javëve të kalendarit të vitit 2018. Një udhëkryq ku takohen fate njerëzore dhe politike, religjioni dhe sporti më popullor i plantetit, proceset e reformave të sotme, që vendosin fatet e të nesërmes. Semafori i kohës është hapur. Mbani frymën njerëz. Një javë e re vibrante, sapo ka filluar.