Vajza e aktorit shumë të dashur për shqiptarët, Roland Trebicka, pianistja e njohur, Manjola Kamyze Trebicka, shpreh dëshirën që artistët në Shqipëri të kenë një Teatër të ri Kombëtar.

Ajo ka rrëfyer në një intervistë kujtimet e babait të saj, për vështirësitë që kishin aktorët për vënien në skenë të veprave në një godinë e cila nuk ofronte asnjë kusht. “Duhet patjetër të ndërtohet një Teatër i Ri sepse kushtet në atë teatër nuk janë më. Unë e kujtoj që babi thoshte, se ka korrente gjithandej. Por, a duhet që të ndërtohet aty ku është, të mbahet ajo ndërtesë apo të bëhet një tjetër, kjo pastaj është çështje e politikës. Nuk është më puna ime, por për ata që kanë mbetur edhe për brezat e rinj, pyetjes: A duhet një teatër i ri? Po, duhet një teatër i ri. Si, ku dhe në ç’mënyrë, nuk më takon mua”, tha Manjola Kamyze Trebicka për report tv.

Pianistja shqiptare Manjola Kamyze Trebicka prej 25 vitesh jeton edhe punon në Francë. Për merita të veçanta nga shteti francez është vlerësuar me titullin “Kalorëse e Palmave Akademike”, urdhri më i lartë i krijuar nga Napoleon Bonaparti që në vitin 1808 dhe që u akordohet personaliteteve të shquara në Francë.