Një ndeshje e balancuar në Grupin C mes Danimarkës dhe Australisë. Të dyja skuadrat njihen për forcën e madhe fizike dhe superioritetin në luftën në ajër, kështu që nuk ishte çudi të shihje një barazim 1-1 në fund të takimit. Megjithëse danezët janë më mirë teknikisht, dhe kanë lojtarë me eksperiencë më të madhe në top 5 kampionatet europiane, australianët vërtetuan edhe njëherë se janë kockë e fortë dhe nuk do të eliminohen kollaj në këtë Kupë Bote.

Starti ishte i përsosur për europianët: Christian Eriksen kalon të tijtë në avantazh me një gol fantastik që në minutën e 7’. Dukej sikur Danimarka pas nisjes së mirë do ta thellonte më tepër avantazhin dhe të merrte një fitore që do t’i garantonte kalimin në 18-at, por ishte një tjetër penallti e dhënë pas konfirmimit të VAR-it që barazoi rezultatin. Ishte përsëri Jedinak ai që mori përsipër penalltinë duke e shndërruar në gol në mënyrë të ftohtë.

Pas pushimit ndeshja ishte e barabartë, në vijë me rezultatin. Danezët mbrohen mirë por nuk prodhojnë mjaftueshëm në fazën ofensive, duke gabuar shpeshherë në pasimin e fundit. Një pikë për të dyja skuadrat, duke dërguar Danimarkën në vend të parë, ndërsa Australia merr pikën e parë.