Ditën e sotme gjykata e Janinës ka vendosur arrest me burg për taksistin grek që shoqëronte me makinë Konstandina Anagnostin, adoleshenten shqiptare që humbi jetën më 15 Nëntor 2014, nga Janina drejt Sarandës.Sipas mediave greke prokurori i çështjes kërkoi sot që taksisti të qëndrojë në qeli deri sa të zbardhet ngjarja. Ndërsa kërkesa e tij u aprovua nga Gjykata.Ende nuk dihet nëse autoritetet e Janinës kanë prova të reja në lidhje me hetimin mbi vdekjen e shqiptares, çka mund t’i ketë shtyrë në marrjen e këtij vendimi.

Më herët këtë javë, në Prokurori dëshmuan 7 persona, të cilët dhanë versionin e tyre lidhur me detajet për të cilat kishin dijeni, e që mund të ndihmonin në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Më 15 Nëntor 2014, Konstandina Anagnosti kishte shkuar nga Greqia për në Sarandë me një taksist, pasi kishte planifikuar të shkonte tek një dentist.

Gjatë kthimit për në Janinë ku banonte me të ëmën, pas divorcit të prindërve, 16-vjeçarja humbi ndjenjat në makinë dhe mbërriti pa jetë në spital. Ekspertiza mjeko-ligjore në Shqipëri doli në konkluzionin se vajza humbi jetën nga shkaqe natyrale dhe pushoi hetimet.

Por babai i vajzës, mohoi rezultatet e hetimeve në Shqipëri duke bërë denoncim në Janinë, ku hetimet aty dolën në konkluzione të tjera.

Më 23 Mars 2018, mjeku grek që bëri autopsinë e adoleshentes tha se Konstandina Anagnostit i ishin hequr organet vitale në mënyrë jo profesionale dhe jashtë çdo standardi të mjekësisë ligjore. Sipas tij, nga trupi i 16-vjeçares mungonte baza e gjuhës, epiglotisi, trakeja, laringu, mitra dhe truri.

Ndërsa në gjakun dhe në analizat e urinës që iu bënë, u konstatuan sasi të larta të likodainës (lloj anestezie).j.j