Nga Arta Marku Qëndro/

Gazetaria ka kohë që ka marrë rrokopujën. Ama nuk është vetëm.

Fundja, e kësaj bote dhe kohe është. Njerëz janë edhe gazetarët, si të gjithë të tjerët. Nëse dikush mendon se mes një financieri, arkitekti, inxhinieri, punonjësi administrate… dhe një gazetari gjen dallime në nivelin e dijes, të ngrejë dorën. Me argumente ama.

Pse harrohet gjithnjë se gazetaria është në ditë të hallit, mbi të gjitha sepse konsumatorët e saj janë po ashtu? Gazetari nuk e ka idenë se kush është Mitrush Kuteli, lexuesit e gazetave po ashtu.

Gazetarit as që i intereson Mitrush Kuteli sepse lexuesi i shkrimeve të tij e ka shpërfilljen të shkruar në ballë. Atëherë gazetarit i duhet konflikti sepse lexuesit vdesin për pak konflikt. Ju pra, JU E KENI FAJIN, ju që e çoni ditën duke “lexuar”, mundësisht online, mundësisht përmbledhtazi, gjëra “konçize”, jo më shumë se 3 rreshta, detyrimisht vetëm argumente intriguese, joshëse që ia vlejnë dhe plot kuptim, si për shembull një SHERR… një sherr mes kujtdo mjaft të jetë sherr.

Pse jo mes Mitrush Kutelit dhe Hervin Çulit?

Këtë doni, këtë merrni!… Gazetari është thjesht një prej jush…

p.s.-Nuk e di pse përfytyrova sikur pyeta një prej prej atyre vajzave arrogante të sporteleve të bankave (që nuk e di nga u buron ajo arrogancë sfiduese) se kush është Mitrush Kuteli…

Por nuk jam në gjendje të përfytyroj gjithsesi se anën e kujt do të mbajë në konflikt, të Mitrush Kutelit apo të Hervin Çulit.

Nejse, takohemi në BIBLIOTEKË…