Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës, Artan Laze.

Gjatë shqyrtimit të dosjes së tij, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi parregullsi në vitin e blerjes së një apartamenti, diferenca në blerjet e banesave, por edhe në shitjen e njërës prej tyre.

Në apartamentin e parë diferenca shkon në 9 mijë euro dhe në të dytin KPK konstaton blerjen me 4 milion lekë dhe deklarimin me 53 mijë euro.

Po ashtu është konstatuar mosdeklarimi i shpenzimeve për shkollën që vajza e gjyqtarit ndjek në një Kolegj privat.

Pas seancës dëgjimore me datë 2 korrik 2018, vetë Laze shprehu besimin se do të kalojë vettingun, ndërkohë që ngriti shqetësimin se gjyqtarët që kanë kaluar në procesin e verifikimit janë kërcënuar prej kriminelëve për shkak të dënimeve që kanë dhënë më parë.

“Është fakt i njohur gjerësisht kur u shkëputa si gjyqtar dhe isha pjesë e KQZ, jam kërcënuar.

Ka shkrime nga njerëz që unë kam dënuar.

Me këtë doja të jepja një mesazh që jo vetëm për mua, por edhe për shumicën e gjyqtarëve që kanë dhënë drejtësi.

Këta që janë dënuar kush i ka dënuar? Ne i kemi dënuar.

Sidomos në këtë pjesë, KPK duhet të ketë shumë kujdes.

Nuk them që të shmanget hetimi i së vërtetës por të shikohet edhe kjo”, tha ai.

Laze ka rezultuar një gjyqtar me probleme dhe ndodhet edhe në “listën e zezë” të SHBA-së, pasi i është refuzuar viza amerikane.

Artan Lazaj ka ushtruar detyrën e gjyqtarit si dhe të kryetarit të Gjykatës së Gjirokastrës në vitet 2003-2009. Në vitin 2009, ai është zgjedhur anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, detyrë të cilën e ka mbajtur deri në vitin 2012.

Në dhjetor 2012, Lazaj është rikthyer sërish në gjyqësor përmes një dekreti të Presidentit të Republikës, i cili e emëroi atë në Gjykatën e Tiranës.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Artan Lazaj zotëronte vetëm një apartament të përfituar nga ligji për privatizimet në vitin 2003, kur deklaroi për herë të parë pasurinë.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e tij kap vlerën e rreth 24.3 milionë lekëve, duke shënuar një rritje mesatare vjetore prej 1.7 milionë lekësh për periudhën deklaruese.

Pasuria e gjyqtarit Lazaj përbëhet nga pasuri të paluajtshme në vlerën e 16.8 milionë lekëve, kursime në cash rreth 5.5 milionë lekë si dhe likuiditete në bankë në vlerën e 1.9 milionë lekëve.

Të ardhurat familjare të gjyqtarit Lazaj për vitet 2003-2017 kapin shifrën e 31.6 milionë lekëve. Rreth 88 për qind e të ardhurave rrjedhin nga paga dhe shpërblimet e gjyqtarit dhe bashkëshortes së tij, ndërkohë që 12 për qind kanë si burim të deklaruar fitimin nga shitja e pronave dhe automjeteve.

Sipas deklaratave të pasurisë, gjyqtari Lazaj bleu një apartament në Tiranë në vitin 2004 për 55 mijë euro dhe e shiti katër vite më vonë për 90 mijë euro. Në vitin 2011, gjyqtari blen një apartament tjetër në Tiranë për 120 mijë euro me burim paratë e kursyera nga shitja e apartamentit të parë [60 mijë euro] si dhe një kredi bankare prej 4 milionë lekësh.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin artimetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik mbi 14 deklarata pasurie të gjyqtarit Artan Lazaj, nga të cilat njëra rezultoi me shtesë pasurie të pambuluar me burime të deklaruara në vlerën e 2.1 milionë lekëve.

Deklarata në fjalë i përket vitit 2004, kur gjyqtari Lazaj bleu një apartament për 55 mijë euro me burim një kredi bankare prej 3.5 milionë lekësh dhe pa burime të tjera të deklaruara. Në këtë analizë, BIRN ka identifikuar gjithashtu si “flamur të kuq” vlerat e konsiderueshme të kursimeve cash të gjyqtarit Lazaj, të cilat në vitet 2008-2015 kapnin vlerën akumulative të 22.4 milionë lekëve.

Një pjesë e këtyre kursimeve u shpenzuan në vitin 2011 për blerjen e apartamentit me sipërfaqe 177 m2 në Tiranë dhe në fund të vitit 2017, kursimet cash kapnin vlerën e 5.5 milionë lekëve.