Në përmbushje të misionit dhe objektivave të saj, Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit hodhi dhe një hap para në rrugën e zgjerimit të marrëveshjeve të njohjes reciproke, duke u bërë nënshkrues i EA-MLA në fushën e Inspektimit dhe Certifikimit të Sistemeve të Menaxhimit, si dhe duke mbetur një nënshkrues i EA-MLA-së në fushën e Testimit.

“Kjo arritje shpresojmë të jetë një nxitje për biznesin, i cili duhet të njihet me marrëveshjen dhe të përfitojë nga mundësitë që jep marrëveshja edhe në kuadrin e CEFTA”, theksohet në njoftimin për shtyp të DPA-së.

Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, është një nga institucionet që i është bashkuar plotësisht familjes së madhe europiane duke i paraprirë objektivave madhore të shtetit shqiptar për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, kjo në sajë të punës dhe vizionit të stafit të DPA-së.

Sipas DPA-së, nënshkrimi i një marrëveshjeje të tillë, pritet të sjellë përfitime serioze dhe të matshme për biznesin vendas duke siguruar përfitime për ekonominë e vendit.

Nënshkrimi i EA MLA, në këto tri fusha, ndihmon ekonominë vendase, që nëpërmjet tyre të plotësohen përgjegjësitë ligjore dhe rregullatore, për reduktimin e barrierave teknike në tregti, mbrojtjen e konsumatorëve rritjen e besueshmërisë për mallrat dhe shërbimet që hidhen në treg.

Marrëveshjet ndihmojnë biznesin për pranimin e mallrave dhe shërbimeve që eksportohen në tregun ndërkombëtar, reduktimin e kostove që vijnë nga ripërsëritja e testimeve, certifikimeve, inspektimeve dhe reduktimin e mundësive për gabime, apo dështime në prodhim.

Nënshkrimi i marrëveshjeve të tilla, çon në rritjen e reputacionit të bizneseve vendase në tregun ndërkombëtar, eleminim të barrierave teknike në tregti, qarkullim të lirë të mallrave dhe konkurencë të ndershme.

“Kjo arritje e Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditmit, dëshmon më së miri që DPA është një aktor shumë i rëndësishëm në treg dhe luan një rol thelbësor për përmirësimin e klimës së biznesit vendas. Akreditimi në të njëjtën kohë është edhe një instrument shumë i rëndësishëm i qeverisë shqiptare, i cili ndihmon që shërbimet publike të jenë të besueshme dhe të një cilësie shumë të lartë, duke reduktuar burokracinë dhe duke nxitur zbatimin e ligjit”, thuhet në njoftim. j.j