Aktorja e njohur e skenës dhe e filmit, si dhe ish deputete e Partisë Demokratike, Rajmonda Bulku, në një deklaratë të saj është shprehur se është pro shembjes së godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar.

Deklaratën e saj, aktorja e ka dhënë në emisionin Arkapia nga Elsa Demo.“(Godina e teatrit) duhet shembur, pa dyshim. Ne po përjetojmë kushte mizerabël. Unë nuk e di se si punojmë aty, është turp të punosh aty. Tani që u gjet Turbina, shumë mirë, ajo sallë është për atë zonë, atë lagje dhe si ajo duhet të ndërtohet edhe një në Kombinat, edhe një në Laprakë, që padyshim është një lagje afër Tiranës.

Unë do të dëshiroja që të ngrihet një Teatër i ri Kombëtar, me parametra të tjerë.

Unë them që të ndërtohet një teatër me parametra që të jetë një teatër shumë i mirë. I takon, derisa është një Teatër Kombëtar. Aty duhet të ketë një teatër shumë të mirë, ç’më duhet mua se çfarë ndërtohet anës teatrit, apo mbi teatër. Në qiell le të ndërtohet, s’kam ndonjë gjë; unë dua të ndërtohet një teatër, moj shpirt. Nuk ka rëndësi fare se çfarë. Mirë është në atë vend, sepse akoma është infrastruktura, se aty, sido që të jetë, është një unazë e vogël, që njerëzit vijnë edhe në këmbë”./Ora News/j.j