Në datë 21 qershor do të vendoset nëse do të rihapet dosja e vrasjes së Azem Hajdarit, pas kërkesës së Izet Haxhisë, i cili u ekstradua rreth një muaj më parë nga Turqia. Haxhia ka mohuar të ketë gisht në vrasjen e Azem Hajdarit 12 shtatorin e vitit 1998, ngjarje për të cilën ai është dënuar me 25 vite burg si bashkëpunëtor.

Ashtu si në seancën e kaluar edhe sot, Izet Haxhia ka kërkuar që të pranohet kërkesa e tij për ballafaqim me Sali Berishën në gjyq, ndërsa paralajmëruar se do të flasë, pasi di shumë gjëra për ish-kryeministrin.

Prokurori që është në sallë është shërbëtor i Berishës. Ekstradimi im si interesonte qeverisë Berisha, u arrestova dhe ndaj meje u ndoqën të njëjta procedura gjyqësore si me Aldo Baren. Ai u ekstradua ndërsa unë jo deri sa ndryshoi sistemi, përse kjo. Kjo ka ndodhur sepse unë di shumë gjëra që Berishës i djegin shumë ngjarje, shumë krime që do flas nëse më jepni të drejtën. Ndaj kërkesa ime është më rigjykoni.Bashkim Nikolla, avokati i Izet Haxhisë ka bërë apel që askush të mos tentojë të devijojë rrjedhën normale për të rigjykuar vrasjen e deputetit Azem Hajdari, pasi sipas tij kushdo që bën të kundërtën thjesht bënë një krim duke mbrojtur padrejtësinë.

Në fund gjykata vendosi që të shtyjë seancën me arsyetimin e mbërritjes nga arkivi të dosjes hetimore të hetuar Izet Haxhisë. Në seancën e kaluar avokati i Haxhisë Bashkim Nikolla paraqiti një dokument të SHIK-ut, i cili ishte raport për vrasjen e Hajdarit, ku sipas tij Haxhia nuk është përmendur asnjëherë./Shqiptarja.com/j.j