Asnjë biznes që ofron shërbime si baret, restorantet apo pishinat por nuk plotëson standartet higjieno sanitare, duke kërcënuar shëndetin e pushuesve, nuk do të tolerohet në këtë sezon turistik.

E ftuar në studion e ERTV, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu foli për aksionin që është ndërmarrë nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, për të kontrolluar në të gjithë vendin kushtet higjieno sanitarë te këto biznese.

Manastirliu tha se nga kontrollet e kryera “rezulton se sot ka më shumë siguri se çka patur në vitet e tjera, për plotësimin e standardeve higjieno sanitare në vend”.

“Paraprakisht para sezonit turistik realizuam 2300 inpektime në këto subjekte dhe duhet thënë që në fillim të Qershorit deri tani kemi 1072 inspektime në qarqe, ku janë verifikuar rekomandimet e lëna paraprakisht para sezonit turistik, në kuadër të plotësimit të standardeve.Inspektimet do të vazhdojnë më tej, në kombinim edhe me inspektoriatet e ministrive të tjera si ato të Ministrisë së Bujqësisë apo Turizmit”, tha Manastirliu.

Pas paralajmërimeve dhe rekomandimeve që u janë dhënë bizneseve për plotësimin e standardeve fillon marrja e masave, që fillojnë nga mbyllja provizore e subjekteve, masa me gjobë apo mbyllje përfundimtare e atyre subjekteve që mund të përbëjnë kërcënim.

“Nuk do të ketë tolerim për asnjë subjekt që duke mos plotësuar standardet, përbën kërcënim për shëndetin e qytetarëve”, tha Ministrja./LEXO.AL/