Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi garanton konsumatorët shqiptarë se prodhimet bujqësore vendase janë mëse të sigurta, cilësore dhe të shëndetshme.

I ftuar në ERTV, Ministri Peleshi tha se prodhimet shqiptare janë shumë më pak të ndotura me kimikate se sa produktet bujqësore edhe të vendeve të Bashkimit Europian. Kjo sipas tij për disa arsye:

“Të trajtosh me pesticide produktet bujqësore do duhet të kesh shumë më shumë para. Fermerët që kanë pak tokë, ose të varfër si ata shqiptarë e kanë të pamundur që të bëjnë trajtime me pesticide. Nëse në BE një pemëtore mund të ketë 30 spërkatje në vit, fermerët tanë i spërkatin 12 herë. Ngarkesa e pesticideve është shumë më e ulët se në vende të BE .Këtë e them me pergjegjësi”, tha Peleshi.

Si faktin mbështetës të kësaj sigurie, Peleshi solli shifrën e rritjes së eksportit të këtyre produkteve në vendet e BE-së ku rregullat për cilësinë janë shumë strikte.
“Ne jemi vend eksportues dhe nuk eksportojmë në vende dosido por në vende të BE. Ne kemi për këtë vit 70 000 ton eksporte, pjesa më e madhe në BE. Konsumatori shqiptar duhet të konsumojë pa frikë produktet tona ashtu sikurse është sfidë ndërgjegjësimi fermerëve për të përdorur përherë e më pak pesticide”./Lexo.al/