Procesi i Vettingut ka nisur tashmë të japë efektet e para. Disa gjyqtarë dhe prokurorë janë shkarkuar nga detyra pasi kanë rezultuar me pasuri të pajustifikuar me burime të ligjshme.

Procesi i rivlerësimit ka nxjerrë nga sistemi edhe disa gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese ndërsa disa magjistratë të tjerë të niveleve të ndryshme janë dorëhequr për t’i shpëtuar Vettingut.

Por, nëse deri tani kemi parë shkarkimin e tyre nga detyra, ende nuk kemi parë ndëshkime ligjore për pasurinë e tyre të fituar në mënyrë antiligjore.

Kryeministri Edi Rama u ndal pikërisht në këtë çështje gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në Lushnje në kuadër të procesit të “llogaridhënies”

“Natyrisht që nuk mjafton procesi thjesht me heqjen nga puna të gjyqtarëve e prokurorëve që nuk justifikojnë pasurinë. Në fakt është rasti për të kujtuar atë që ‘dardha e ka bishtin prapa’ me drejtësinë e re”, deklaroi Rama.

Ai tha më tej se qytetarët po marrin zgjidhje për problemet e tyre në portalin shqipëriaqëduam.al.

“Janë mbi 150 punonjës që kanë marrë ndëshkime për vonesa të pajustifikuara për problemet e qytetarëve”, tha Rama.j.j