Qendra Ndërkombëtare e Kulturës ose e njohur ndryshe si “Piramida”, u sulmua të martën nga disa persona që kishin hyrë për të vjedhur.

Piramida është në pronësi të Bashkisë së Tiranës, ndërsa një pjesë e mjediseve të saj është në përdorim nga “Top Channel” në bazë të një kontrate qiraje.

Policia arrestoi një nga autorët, i cili dyshohet të ketë vjedhur disa kallbo elektrik duke shkaktuar avari në rrjetin e furnizimit me energji në ambientet dhe disa nga zyrat e “Top Channel” dhe “Top Albania Radio”.

Personat e pautorizuar të cilët hynë në mjediset e “Top Channel” kanë shfrytëzuar amortizimin e godinës në pjesën që menaxhohet nga autoritetet shtetërore për të depërtuar deri në mjedise të thella.

Ata kanë thyer edhe një kamera sigurie të vendosur nga shërbimi privat i ruajtjes fizike.

Përveç amortizimit të godinës, dritaret dhe dyert e jashtme janë të thyera.

“Top Channel” lajmëroi policinë mbi këtë rast, e cila kreu këqyrjen e vendngjarjes.

Por sipas informacioneve, mjediset e “Piramidës” që është në pronësi të bashkisë po shfrytëzohen nga të rinjtë edhe për të konsumuar hashash.

Për “Piramidën” prej vitesh është folur për një rikonstuksion total, i cili sipas bashkisë do të kthejë këtë godinë në një pikë takimi për artin por mbi të gjitha do të mund të vizitohet lirisht nga publiku.j.j