Policia Kufitare e Rinasit, ka ndaluar dy personat të cilët po udhëtonin me dokumente identifikimi të falsifikuara. Zyra e Shtypit e Policisë së Tiranës ka bërë të ditur për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, se të dy shtetasit vinin nga Italia drejt kryeqytetit të Shqipërisë dhe janë ndaluar pasi ka rezultuar se dokumentet e identifikimit i kishin të falsifikuara.

Policia bënë me dije se është arrestuar në flagrancë shtetasi M. K., vjeç 24, banues në Tiranë, pasi në PKK Rinas, u kap me një dokument identifikimi të falsifikuar. Ndaj këtij shtetasi ka nisur hetim për shkelje të Nenit 189 i Kodit Penal për “Falsifikimi ose përdorimi i letërnjoftimeve, i pasaportave apo i vizave të falsifikuara dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet dhe me gjobë nga katërqind mijë deri në një milion lekë.

Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet dhe me gjobë nga gjashtëqind mijë deri në dy milionë lekë. Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë letërnjoftimin, pasaportën apo vizën, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga një milion deri në tre milionë lekë”.

Po ashtu është arrestuar në flagrance edhe shtetasi Sh. C., vjeç 26, banues në Tiranë, pasi në PK K Rinas, u kap me një dokument identifikimi të falsifikuar. Ndaj këtij shtetasi është ngritur dyshimi se është shkelur neni 186 i Kodit Penal.

“ Falsifikimi ose përdorimi i dokumenteve të falsifikuara dënohet me burgim deri në tre vjet dhe me gjobë nga dyqind mijë deri në gjashtëqind mijë lekë. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë. Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, dënohet me burgim nga një vit deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në dy milionë lekë”, lexohet në kodin penal të Republikës së Shqipërisë.