Prindërit e Zonjës së Parë të Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, janë betuar këtë të enjte si shtetas amerikanë.

Avokati i Viktor dhe Amalija Knavs tha se, çifti slloven bëri betimin e shtetësisë këtë të enjte në qytetin e Nju Jorkut. Ata jetonin deri më tani në Shtetet e Bashkuara me statusin e banorëve të përhershëm.

Çifti Knavs solli në jetë dhe e rritën Melanian në qytezën rurale industriale të Sevnicës, në kohën kur Sllovenia ishte nën diktaturën komuniste. Viktori ishte një tregtar makinash, ndërsa Amalija punonte në një fabrikë tekstilesh.

Ata u shoqëruan, prej ardhjes e deri në largimin nga ceremonia e zhvilluar në ndërtesën federale të Manhattanit, nga efektivë policorë të Sigurisë së Brendshme.

Viktori është 74 vjeç, dy vite më i madh sesa presidenti Donald Trump, ndërsa Amalija 73 vjeç.

Zonja e Parë e Amerikës, e lindur me emrin Melanija, e ndryshoi emrin në Melania Knauss kur nisi karrierën e modelingut. Ajo u zhvendos më pas në Nju Jork gjatë vitit 1996, ndërsa u takua me Trumpin vetëm dy vite më vonë.