Xhafer Mata, i cili vrau dje ish-të dashurën dhe më pas veten, nuk ishte emër i panjohur për policinë, sidomos për komisariatin nr. 3. Në një intervistë për emisionin ‘Kjo javë’ në ‘News24’ gazetari Spartak Koka deklaroi se pak vite më parë 31-vjeçari që ekzekutoi me dy plumba në Don Bosko 18-vjeçaren Xhuljeta Çuni, ishte përfshirë në disa konflikte. Rasti i parë ishte ai i 23 shtatorit të vitit 2012, ku gjatë një konflikti me policinë, ai bashkë me familjarët e tij u përplas fizikisht me efektivë. Shkak i sherrit të dhunshëm ishte bërë motori pa letra i vëllait të tij.

Pasi çështja ndaj tij ishte pushuar për mungesë provash, Xhaferi kishte përfunduar sërish në telashe me policinë. Koka deklaroi se për të riun kishte një raport shoqërimi në vitin 2017 pasi akuzohej për vjedhje të energjisë elektrike. Mes të tjerash ai kishte bërë edhe dy denoncime, një në 2008 me pretendimin për tentativë grabitje nga 5 persona, si dhe për kanosje nga një person në vitin 2011.

“Familja Mata është e njohur në rrugën ‘Jordan Misja’. Nuk është se ka pasur raportime këto kohët e fundit për ngjarjen. Më rezulton se në 2012, në 23 shtator, ne kishim raportuar për një përplasje të ashpër të dhunshme, mes familjes së Xhafer Matës me dy punonjës të policisë së komisariat nr.3. Në atë kohë kemi filmuar dhe një automjet të policisë që ishte dëmtuar, i ishin thyer xhamat. Ndërkohë kryefamiljari i familjes Mata, Tahip Mata, pretendonte se bashkëshortja e tij dhe djali i tij ishin dhunuar nga policia në kohën kur vëllai i Xhafer Matës, i kishte ikur punonjësve të policisë me një motor pa letra dhe ishte futur në oborrin e banesës. Ata ishin zënë me lopata, dhe sende të forta. Për këtë pati kallëzime të ndërsjellta. Xhafer Mata në atë kohë u la i lirë për mungesë provash për dhunë ndaj policisë. Ndërsa i ati e ka ndjekur çështjen deri në Gjykatën e Apelit me pretendimin se nuk po i merrej kallëzimi dhe se ndaj tij dhe familjes ishte ushtruar dhunë nga policia. Është familje me evidencë policore. Si Xhaferi dhe familja e tij. Xhafer Mata ka pasur vet dy kallëzime në polici. Një në vitin 2008 për ‘tentativë grabitje’ nga ana e 5 personave, një në 2011 që është kanosur nga një person me inicialet F.Sh. Është shoqëruar për një aksident rrugor në 2009-ën. Ndërsa ka pasur dhe një raport shoqërimi për vjedhje të energjisë elektrike në 2017. Nuk figuronte per ushtrim dhune ndaj tij apo ana e Xhuljeta Cunit”, tha Koka.