Sipas të gjitha gjasave Enis Gavazaj do të jetë edhe për pak kohë futbollist i Skënderbeut, pasi e ardhmja e tij tashmë ka marrë një tjetër drejtim.

Mesfushori 23-vjeçar është shumë pranë marrëveshjes me Yenisey Krasnoyarsk, në bazë të asaj që transmeton “Supersport”. Ekipi luan në elitën e futbollit rus dhe është i sapo ngjitur në këtë kampionat, ndërsa projektin e ri e ka bazuar te transferimi i shqiptarit.

Korçarët do të bëjnë transferimin e dytë në elitën ruse, pasi më parë kanë arritur të kalojnë edhe Bernard Berishën te Anzhi. Ekipi i Skënderbeut kërkon të paktën 600 mijë euro për të lënë të lirë Gavazajn dhe gjithçka pritët të mbyllet në ditët në vijim.