KPK ka qenë e ndarë në vendimin për shkarkimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Hoxhës. Dy nga gjyqtarët vlerësuan se ai duhej të shkarkohej “për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë”, një prej tyre thotë se ai duhej të rikonfirmohej.

Nga Vladimir Karaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi se Fatmir Hoxha, deri sëfundmi anëtar i Gjykatës Kushtetuese, shkarkohej “për deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të pasurisë”. Vendimi i cili u zbardh të hënën [Link Vendimi], u mor me votat pro të kryesueses Xhensila Pine dhe relatores Alma Faskaj, ndërsa kundër u shpreh Valbona Sanxhaktari e cila thotë se Hoxha duhej të rikonfirmohej.

Në vendimin e shumicës KPK arsyeton se Hoxha ka dështuar të deklarojë për “vetingun” dhe të justifikojë me dokumentacion një hua nga kunati në vlerë 28.500 euro, nuk justifikonte me të ardhura një shumë prej 1.7 milion lekësh shpenzime në vitin 2011 dhe nuk kishte deklaruar një shumë prej 330 mijë lekësh në llogarinë bankare të së shoqes në vitin 2003.

Në mendimin e pakicës Sanxhaktari i cilësoi arsyetimin e shumicës të pabazuar dhe shkroi se Hoxha duhej të ishte rikonfirmuar pasi “ka krijuar një nivel të besueshëm për vlerësimin e pasurisë, ka krijuar një nivel të besueshëm për vlerësimin e figurës, si dhe ka krijuar një nivel të mjaftueshëm profesional”.

Si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Hoxha ishtë pjesë e listës prioritare të procesit të rivlerësimit, i njohur gjerësisht si procesi i vetingut. Lindur në vitin 1968 në Pukë, gjyqtari Fatmir Hoxha u diplomua në drejtësi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës në vitin 1991. Nga viti 1993 deri në vitin 1996 Hoxha ka punuar si gjyqtar në vendlindjen e tij në Pukë, ku ka ushtruar dhe funksionin e kryetarit të gjykatës. Nga viti 1996 deri në vitin 1998, Hoxha ka ushtruar detyrën në gjykatën e Apelit Tiranë dhe nga viti 2003 deri ne 2008 ai ka shërbyer si kryetar i gjykatës në Shkodër. Në vitin 2011 ai emërua anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Argumentet e shumicës

Ndërsa janë ndaluar vetëm shkurt në kriteret e pastërtisë së figurës dhe profesionalizimit të cilat Hoxha sipas vendimit i ka përmbushur, KPK është përqëndruar në vlerësimin e pasurisë së gjykatësit, e cila sipas shumicës së trupës gjykuese ishte me probleme.

Kështu KPK thotë se gjeti “deklarim të pasaktë dhe jo në përputhje me ligjin për burimin e krijimit të kësaj pasurie”, pasi në Deklaratën “Vetting”nuk është deklaruar si burim huaja e marrë shtetasit A.G.në vlerën prej 28500 euro. KPK thotë se argumenti i mbrojtjes së gjyqtarit se huaja ishte shlyer dhe se ajo ishte deklaruar në ILDKPKI dhe për këtë nuk ishte dukur i nevojshëm përfshirja në“deklartën vetting” ishte i “pambështetur në ligj”. Ajo e ka cilësuar deklarimin në këtë rast të pamjaftueshëm, ndërsa thotë që pavarësisht deklarimeve të mëparshme huaja duhej të ishte dhënë si burim edhe në “deklaratën vetting”.

Po ashtu aty thuhet se kunati i gjykatësit të shkarkuar nga KPK nuk kishte mundur të provonte burim të ligjshëm të të ardhurave që i mundësonin huadhënien në vlerën 28,500 euro.

“Nga verifikimi i dokumentacionit në dosje, rezultoi se nga Z. A. G., nuk është depozituar asnjë dokument për justifikimin e ligjshmërisë së burimit të krijimit të pasurisë, të cilën ai e ka dhënë hua”, thuhet në vendim. Aty thuhet edhe se kunati kishte pranuar në dëshmi se “nuk ka qenë i regjistruar pranë organeve tatimore, pasi nuk ka pasur ligj në atë kohë”, ndërsa ka pranuar edhe se nuk ka paguar tatime.

KPK thotë në vendim se gjeti edhe se gjykatësi nuk justifikonte një shumë prej 1.7 milion lekësh shpenzime në vitin 2011. Në analizën financiare të bërë nga KPK llogariteshin 640.000 lekë shpenzime jetese për gjithë vitin, 2.5 milionë lekë shpenzime mobilimi dhe pagesa këstesh huaje. Sipas kësaj analize shuma prej 1.7 milion nuk mbulohej nga të ardhurat. Justifikimi i gjykatësit se kjo shumë ishte vënë nga shitja informale e mobiljeve të shtëpisë në Shkodër, piktuave dhe disa sendeve të tjera përfshi një bateri inverter, nuk r ka bindur KPK-në. Shumica arsyetoi se për sa kohë për këto të ardhura nuk ishte paguar tatim ato nuk mund të merreshin parasysh. “Si të tilla këto të ardhura nuk duhet të merren në konsideratë”, arsyetoi KPK.

Po ashtu KPK thotë se Hoxha nuk kishte deklaruar 330 mijë lekë në vitin 2003. “Subjekti i rivlerësimit ka fshehur duke mos e deklaruar shumën prej 330.000 lekë, gjendje në llogarinë depozitë të bashkëshortes”, thuhet në arsyetim. KPK nuk ka marrë parasysh pretendimin e avokatit të Hoxhës se “mos deklarimi i depozitës së bashkëshortes në deklarimin periodik të vitit 2003 ka qenë lapsus, i cili është korrigjuar në deklaratën e vitit 2004”.

Mendimi i pakicës

Anëtarja e KPK-së Valbona Sanxhaktari nuk ka qenë dakord me arsyetimin e dy anëtareve të tjera të trupës gjykuese. Sanxhaktari në mendimin e pakicës argumenton se Fatmir Hoxha duhej të ishte rikonfirmuar dhe sipas saj ai përmbush të treja kriteret.

Sanxhaktari thotë se mosdeklarimi i huasë në “deklaratën vetting” nuk ishte arsye për penalizim, pasi huaja ishte shlyer dhe se ajo kishte qenë e deklaruar më parë në deklarimet vjetore të pasurisë. Sipas saj mungesa e saj në deklaratën për llogari të vetingut “nuk përbën shkak për fshehje të pasurisë apo deklarim të pasaktë”.

Ajo po ashtu thotë se kunati i Hoxhës kishte depozituar dokumente që vërtetonin se paratë e dhëna hua ishin tërhequr nga llogari bankare. Ajo nuk bie dakord edhe me gjetjet e shumicës sa i përket të ardhurave për vitet 2003 dhe 2011. Mosdeklarimin e shumës prej 330 mijë lekë ajo e cilëson “irrelevante”, ndërsa nuk bie dakord me qëndrimin e shumicës edhe për mosmarrjen në konsideratë të parave të fituara nga shitja e mobiljeve e sendeve shtëpiake, ndërsa thotë se ligji nuk kërkon që për to të paguhet tatim.

Sipas saj mosmbulimi i shpenzimeve nuk është arsye për shkarkim pasi ligji “parashikon si shkak kalimin e dyfishit të pasurisë së ligjshme”.

Sanxhaktari thotë se KPK duhej të kishte rikonfirmuar Fatmir Hoxhën dhe vlerëson se ai ka “ushtruar detyrën me përkushtim”.j.j