Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Islandës, dr. Finbogi Gudhmundson, vizitoi Shqipërinë më 1985. Ai na kishte njoftuar se ndodheshin një varg dorëshkrimesh në islandishten e vjetër për Skënderbeun, të përkthyera nga danishtja prej librit të historianit Ludvig Holberg, ku ndërmjet dhjetë heronjve të shquar të botës është përfshirë edhe kreu Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, prijësi dhe heroi më i madh në histori, si dhe dorëshkrime të disa këngëve epike, të thurura duke u mbështetur te ato.

Ai na dërgoi librin e Holbergut, një nga poemat dhe një libër të botuar më 1861. Ndërkaq, po ashtu si kanë vijuar të shtohen veprat kushtuar jetës dhe bëmave të heroit tonë kombëtar, është shtuar edhe interesimi për vetë literaturën rreth figurës së tij. Po na zgjerohen njohuritë se ka njoftime edhe përtej një mijë veprave në njëzet e një gjuhë të botës, që u nxorën në dukje me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit. Përmendjet e viseve shqiptare nga nordikët janë mjaft të vjetra. Në Islandë krijimtaria letrare e ka fillimin të paktën që nga shek. XII me sagat, të cilat ishin rrëfime kushtuar fiseve kryesore të vendit. Më pas përmbajtja e tyre u shtua me subjekte të tjera, duke përfshirë edhe figura e ngjarje historike prej vendeve të tjera europiane. Një sagë e tillë e fundit të shek. XII tregon për princin Jarl Rognvaldrin, i cili pas vizitës në Jerusalem, u kthye dhe erdhi në Durrës, për të kaluar prej aty në Pulie dhe në Norvegji.

Saga e Sigurdhurit, shek. XIV, përmend Albaninë
Është hera e parë që del kështu në burimet veriore emri i portit tonë. Saga e Sigurdhurit, e fillimit të shek. XIV përmend Albaninë. Në mesin e atij shekulli, siç na rrëfen Saga e Magnusit, një grup shqiptarësh me prijësin e tyre u takuan me nordikë në Venedik. Gjithsesi, njoftime të reja mjaft të gjera na ka dhënë studiuesi M. J. Driscoll me një punim të botuar vetëm dhjetë vjet më parë, të cilin e kishte lexuar në korrik 2007 në Universitetin e Kembrixhit.

Matthew James Driscoll ka lindur më 1954, është autor i afër tridhjetë librave dhe i shumë punimeve, të botuara në disa gjuhë. Ai ka punuar në Institutin Arnamgnaean të Universitetit të Kopenhagës, ka qenë edhe pedagog i jashtëm i Universitetit të Islandës. Është specialist për filologjinë e vjetër nordike dhe i shquar për punën me literaturën e dorëshkrimet e vjetra.

Prandaj jo rastësisht ka trajtuar edhe dorëshkrimet e lidhura me Skënderbeun. Me rastin e 60-vjetorit të tij, më 2014 është hedhur në internet faqja “Matthias saga digitalis 6.0/”. Ligjërata e tij e fundit ka qenë më 27 tetor në Universitetin e Kopenhagës për dorëshkrimet e Magnu i Tjaldanesit.  Po përpara se të jap përshkrimin e të dhënave të reja që ka sjellë ai, është mjaft e papritur një prurje tjetër.

Thënia e njohur: “Nuk është shpata – hekur i dheut, po është krahu i fortë i Skënderbeut” qenka edhe anglisht me këto fjalë: “Scanderbeg’s sword must have Scanderbeg’s arm”. E gjejmë atë në një vepër mjaft të njohur me titullin “Fjalori i Brewer-it i shprehjeve dhe i thënieve prej rrëfimeve” (Brewer’s Dictionary of Phrase and Fable).

Autori, Ebenezer Cobhan Brewer (1810-1897) kishte ndjekur mësimet në Kembrixh, punoi si kryemësues në një shkollë të Noruiçit, jetoi disa vjet në Paris dhe ka botuar shumë libra arsimorë për lexuesin e përgjithshëm. Botimi i parë i librit më të suksesshëm të tij është i vitit 1870 dhe tani mund të jetë i njëzeti. Shpjegimi i thënies anglisht në fjalorin e tij është: “Muhameti i deshi të shihte shpatën e Skënderbeut, por kur ia paraqitën, askush nuk mundi ta ngrinte; atëherë perandori turk, duke e parë veten të detyruar, ia ktheu mbrapsht. Skënderbeu iu përgjigj, se madhërisë së tij i kishte dërguar shpatën e vet, por jo krahun që e ngrinte atë”.

Sipas studiuesit M. J. Driskoll, rrëfenja nga e cila e ka prejardhjen shprehja, nuk haset te libri i Marin Barletit, për këtë arsye nuk është as në tekstin e L. Holbergut dhe as në përkthimet e në sagat islandisht. Por ajo shfaqet në një prej rimureve. Rimure quheshin poemat epike, si rapsoditë tona, të cilat rrëfimet në prozë me tema romantike dhe më rrallë nga historia i shndërronin në vargje me rimë.

Për pesë shekuj ato kanë qenë poezia epike popullore e Islandës deri në fund të shek. XIX. Meqë ato mbështeteshin gjerësisht te sagat, lind pyetja: nga është marrë atëherë kjo ngjarje në një rimur? Tashti mësojmë për një burim të ri rreth Skënderbeut.

Si e gjeti rrugën për Danimarkë Historia e Skënderbeut
Historia e Skënderbeut e gjeti rrugën për Danimarkë përpara Holbergut, me botimin më 1709 të një vepre anonime nën titullin e gjatë “Përshkrim i tre mbretërve më të fuqishëm turq … dhe Gjergj Kastriotit ose Skënderbeut, prijësit të Epirit dhe Shqipërisë…”. (Sandfærdige Beskrivelse om de tre Mægtigste Tørckiske Keysere … Georgius Castriotus eller Scanderbeg Første udi Epiro og Albanien…). Në faqen e titullit mëtohet se është marrë nga danishtja, burimi i drejtpërdrejtë për të nuk dihet. Skënderbeut i kushtohen faqet 49-78 dhe përmbajtja është marrë nga Barleti, ndërsa episodi me shpatën del në f. 755-77.

Për rrëfenjën me shpatën, variantet e saj dhe në tekstin danisht më shumë ka gjasa që ta kenë burimin nga vepra e pabotuar e Frankfurtit e viteve 1602-1609 me titullin: Operae horarum subcisivarum, sive meditationes historicae, Centuria altera, cap. LXXVI, f. 350-51. Kemi kështu një burim tjetër të panjohur deri më tash, që ka nevojë të hulumtohet më tej. Nuk po e bëj përkthimin e copës përkatëse pak të gjatë në prozë, po do të kthehem te rimuri islandisht, ku ngjarja zë tri strofa, të cilat po i jap me një përkthim jo në vargje:

“[Ai] i kërkoi burrit t’i dërgonte shpatën, për t’ia huajtur për pak kohë; ai i tha ‘po’ dhe ashtu bëri. Ndonëse mbreti ishte i fortë, nuk qe në gjendje ta vringëllonte një shpatë të atillë, as mundi ta tundte askush tjetër në oborrin e tij. Ata e kthyen mbrapsht shpatën menjëherë; Skënderbeu u dërgoi përgjigjen: Unë ua dhashë hua luftëtarëve shpatën, por jo krahun tim.”

Për të kënaqur ata, që botojnë shprehje nga e gjithë bota, po e jap edhe në islandishten e  vjetër:Ljeði’ eg sverð en arminn ei odda njerðun stáls að þey.

Shek. XIX, rigjallërimi i Historisë së Skënderbeut në Islandë
Gjatë shekullit XIX letërsia popullore në Islandë ende tregohej gojarisht dhe ishte gjallëruar nga përpjekjet për pavarësi, kështu që edhe tema e Skënderbeut ishte e parapëlqyer. Qarkullonin mjaft libra të lirë, të përkthyer prej danishtes e gjermanishtes, dhe prandaj libri i Holbergut nuk ishte një përjashtim nga rryma e përgjithshme. Në këtë truall e gjeti vendin edhe Saga për Skënderbeun, për të cilën tashti marrim vesh më me përpikëri sesa më 1985, që u ruajtka në 13 dorëshkrime.

Natyrisht, burimi më i parë ka qenë vepra e njohur e Marin Barletit (1510), e cila pati një jehonë aq të dukshme, saqë pa vonuar nisën të dilnin përkthime të Barletit: gjermanisht më 1533 në Augsburg; italisht më 1554 në Venedik; portugalisht më 1567 në Lisbonë;  polonisht më 1569; frëngjisht u zgjerua nga Jacques de Lavardin më 1576 në Paris, shoqëruar me një sonet nga Pierre de Ronsard (1524-85). Anglisht prej Zachary Jones-it është botuar në Londër më 1596 sipas Lavardinit, por vendin e sonetit të Ronsarit e zuri një nga Edmund Spenceri (1552-99). Tashmë për autorësinë e këtij botimi ka edhe një artikull nga Franklin B. Williams, Jr,: ‘Spenser, Shakespeare, and Zachary Jones’, botuar në revistën Shakespeare Quarterly, 19 (1968), f. 205-12.

Ka një ngatërrim për pjesën me këtë subjekt ‘El Principe Escanderbeg’. Ajo i quhet Lope de Vegas (1562-1635), kur doli më 1639 në vëllimin 29 të komedive të tij. Bibliografia e Bibliotekës sonë Kombëtare më 1997 (shkurt BBK) e quan të Lopes de Vega Carpio sipas një letre nga Biblioteka e Madridit e vitit 1969, veçse nuk i ka datat e mësipërme për pjesën.

Më 1679 pjesa me të njëjtin titull i quhet Luís Vélez de Guevarës (1579-1644) në tekst, ndërsa në treguesin e përmbajtjes del se qenka e Luis de Belmonte Bermúdez-it (1598?-1650?). Këto data dhe emri i fundit nuk dalin te BBK. Aty mungon edhe një botim më 1538 në Strasburg nga Caspar Hedio.

Lord Bajroni (1788-1824) i ka kushtuar dy strofa në Shtegtimet e Çajld Haroldit (1812-1819). U bënë edhe opera me temën e Skënderbeut; prej njërës me muzikën e Antonio Vivaldit (1675-1741) na kanë ardhur vetëm katë arie.

Studiuesi Driskoll pohon: “Mund të thuhet pa dyshime se deri rreth vitit 1900, kur ‘turqit’ pushuan së vështruari si një kërcënim, çdo njeri i arsimuar në shkallë të mjaftë, i cili jetonte kudo qoftë në Europë, ndoshta ka qenë i njohur me figurën e Skënderbeut po aq sa edhe me të paraardhësit me emrin e tij, Aleksandrit të Madh”.

Edhe për vetë L. Holbergun marrim vesh për herë të parë se ka botuar një vit më përpara, më 1738, një histori kishtare (Almindelig Kirke-Historie), në të cilën ka një trajtim të shkurtër të Skënderbeut.

Kemi tashti një numër të përcaktuar sagash në dorëshkrime: 13 të shekullit XIX, me titullin islandisht ‘Sagan af Skanderbeg’. Më i vjetri, me se duket, është JS 34 40, hartuar gjatë dimrit 1803-04 si pjesa e shtatë (apo e nëntë?) e materialit prej 10 njësish në faqet 160-173. Hartuesi duhet të ketë qenë Gudhmundur Illugasoni, i cili e shkruan emrin e vet në disa vende të përmbledhjes.

Kishte lindur më 1788, jetonte në Bakkakor dhe do të ketë qenë djalosh kur e ka shkruar, sepse vetë në parathënie e vë në dukje, që “është shkruar nga një autor sagash i ri dhe i pastërvitur në vitet 1803 dhe 1804”. I përmbahet mjaft afër origjinalit danisht të Holbergut dhe është përkthim me cilësi të mirë. Titulli është Saga af Skanderbeg  fursta.

Ndër dhjetë saga të vetat dhe shtatë të përkthyera, kleriku dhe poeti Jón Oddsson Hjaltalín (1749-1835) ka përkthyer edhe një sagë për Skënderbeun po ndër vitet 1803-1804 dhe nënkuptohet se e njihte librin e L. Holbergut. Me dorën e tij është ruajtur Lbs 638 80, që do të jetë para vitit 1811 dhe që përmban një tekst të shkurtër Mbi heroin e pakrahasueshëm Skënderbe. E veçantë është se këtu ai ka përfshirë pjesë nga të dy veprat e Holbergut, meqë përshkrimi i fitoreve më të mëdha të Skënderbeut dhe vdekja e tij janë vetëm në librin e vitit 1738.

Einar Bjarnason a Melifelli (1782-1856) ka qenë ndër njerëzit më të ditur laikë të veriut të Islandës, hartues edhe i një ‘Regjistri të njerëzve të ditur’ të pabotuar dhe ka luajtur rol të rëndësishëm për përhapjen e kulturës në vendin e vet. Ai na ka lënë dy dorëshkrime. I pari, ÍB 251 40, është shkruar më 1806-1807 në Brúnastadhir.

Saga për heroin tonë mban titullin ‘Sagan af theirri ósigrandi hetju og nafnfræga Skanderbeg fursta í Epíró’, dhe është bashkë me tri saga të tjera dhe dy grupe rimuresh. Dorëshkrimi i dytë, ÍBR 21 40, është shkruar më 1820 në Starrastadhir. Interesante është se këtu Saga për Skënderbeun gjendet bashkë me një sagë për Aleksandrin e Maqedonisë dhe një për Jan Zhishkën.

Dy dorëshkrime janë anonime. I pari, MS nr. 5 80 në koleksionin e G. Helgasonit, është në zotërim privat dhe e ka të shënuar, se është përfunduar më 9 shkurt 1820.

Saga e Skënderbeut: prijësit të famshëm të Epirit
Saga për Skënderbeun gjendet krahas katër sagave të tjera. I dyti, Lbs 3625 40  po ashtu i fillimit të shek. XIX, ka një titull të gjatë e të lezetshëm: ‘Disa saga njohëse për burra të vjetër, mbledhur, kopjuar dhe botuar (!) për argëtim të përshtatshëm për ata që i duan sagat, dijet e lashta dhe shembullin e mirë, ushtrim [i cili] ndriçon të rinjtë dhe kënaq të vjetrit’.

Nga një burim tjetër kam gjetur se Saga për Skënderbeun ndër 12 njësitë këtu vjen e gjashta në faqet 72-83; duhet të jetë bërë para vitit 1850: Saga af Skanderbeg, þeim nafnfrægn fursta í Epíró (Saga e Skënderbeut: prijësit të famshëm të Epirit). Gabimisht e kanë lidhur me historinë si aktor të një Nikulasi. Është dorëzuar nga S. Bardharon dhe i biri Leo më 1952.

Ndër dijetarët laikë më të njohur ka qenë Gísli Konrádhsson (1787-1877), autor prodhimtar i historive lokale, autor edhe i shumë cikleve të rimureve. Rreth vitit 1830 po ashtu ka shkruar një Sagë për Skënderbeun, dorëshkrimi Lbs 1953 80.

Dorëshkrimi i 29 marsit 1832, Lbs 1305 80, që i përket Thorsteinn Gíslassonit nga Stokkahlödhum (1776-1883), gjithashtu dijetar laik dhe poet i njohur, përmban edhe tekstin ‘Sagan af Furstanum Skanderbeg’, e cila sipas faqes paraqitëse është përfunduar më ’29 Martj’. Është e dyta nga nëntë pjesë të dorëshkrimit, ndërsa të tjerat janë romanca origjinale e të përkthyera. Paraqitja shqip nga BBK më 1997 është me gabime. Autori nuk e ka mbiemrin ‘Forestien’, por Thorstein. Të dhënat e tjera janë për dorëshkrime të tjera, ndërsa tani kemi një informacion të përpiktë për këtë konkretisht. Edhe njoftimet për rimuret e H. Bjarnasonit nuk janë të rregullta dhe më poshtë do t’i përshkruaj të plota.

Ndërsa Thorsteinn Thorsteinssoni nga Heidhi (1792-1863) ka qenë një ndër shkruesit më prodhimtarë të shekullit XIX. Nuk kishte marrë ndonjë shkollim; që në moshë të re nisi të mblidhte dhe të kopjonte dorëshkrime, e kështu ka rreth gjashtëdhjetë dorëshkrime me dorën e tij (kryesisht Lbs 660-706 40), të gjitha së bashku nja 16.000 faqe.

Janë nja dyqind cikle rimuresh dhe po aq saga e përmbledhje të tjera, por jo të gjitha të bëra me kujdes. Lbs 676 40, njësia e parë e dorëshkrimit, është shkruar rreth 1840-50 me titullin “Sagann af theim nafn fræga fursta SKANDERBEG Epiróta kappa’, që do të thotë për Skënderbeun si prijës i Epirit.

Një dorëshkrim me dy njësi, Lbs 854 b 80, e ka shkruar më 1860 Einar Gudhnasoni (1853-1901), autor edhe i dy grupeve rimuresh. Njësisë së parë i mungon faqja e titullit, por pastaj shfaqet gjithandej emri i Skënderbeut.

Sipas M. Driskollit, dorëshkrimi më i gjerë që përmban një sagë për Skënderbeun është Lbs 1767 40, shkruar ndërmjet viteve 1857 dhe 1863 nga Jöhannes Jönsson (1798-1877), një nga shkruesit më pjellorë të shekullit XIX, por prej tij kanë mbetur pak gjëra, nja 7 dorëshkrime të plota, ndonëse vetë ka treguar se ka kopjuar disa qindra himne dhe poema, 49 grupe rimuresh dhe mbi 130 tekste sagash. Dorëshkrimi ka një titull të gjatë: ‘Njëzet e gjashtë saga perandorësh, mbretërish, dukësh, kontësh, baronësh, fermerësh, shërbëtorësh e skllevërish, të mirë e të këqij etj.”, duke përfshirë edhe sagën përkatëse për Skënderbeun në njësinë 26, në faqet 269-275. Nga një burim tjetër del se Saga af þerri nafnfrægn hetju Skanderbeg (Saga e prijësit të famshëm Skënderbeu) me këtë titull ndodhet në një tufë prej 104 faqesh, ajo vjen e dyta mes katër njësive të tjera, i përket vitit 1862 dhe është ribotuar më 2014, por këtë dhe një Histori të Skënderbeut po të këtij autori, të vitit 1861, nuk kam pasur mundësinë t’i njoh dhe të jap ndonjë të dhënë tjetër për to.

13 sagat për Skënderbeun, ja kush ishin shkruesit e tyre
Dorëshkrimet mbajnë emrat e shkruesve, por mes tyre shkruesi më i zellshëm e prodhimtar duket se ka qenë  Magnús Jónssoni (1835-1922). Ai ka jetuar kryesisht në fermën e vet në Tjaldanes në Islandën Perëndimore dhe prej tij kanë mbetur 43 dorëshkriume të bëra gjatë viteve 1874-1916. Sagat e kopjuara i ka përmbledhur nën titullin e përgjithshëm ‘Fornmannasögur Nordhurlanda’ (‘Saga të njerëzve të lashtë të veriut’). Njëzet vëllime prej tij me nga 880 faqe ruhen në Bibliotekën Kombëtare: Lbs 1491-1510 40. I përkasin një periudhe nga viti 1880 deri më 1909. Nëntë vëllime të tjera janë në zotërim privat dhe gjithsej prej tij janë 162 saga (!). Dorëshkrimet pas vitit 1888 kanë nga një parathënie për secilën sagë, ku shpjegohet se si i ka gjetur tekstet dhe i krahason me të tjera saga që i njihte. Përmend gjithashtu nëse ka pasur rimure të mbështetura në sagat.

Tri prej 13 sagave për Skënderbeun janë me dorën e Magnusit. Njëra është e fundit në dorëshkrimin e tij më të vjetër: Oslo UB 1159 80, ndoshta para vitit 1880. Dy të tjerat kanë datë dhe parathënie të shkurtër. Dorëshkrimi më i vjetër prej tyre është në zotërim privat, meqë Magnusi ia kishte dhuruar së bijës, Kristinës. Me kërkesën e M. Driskollit, Biblioteka e mori hua dhe i është bërë digjitalizimi. Shpresoj që Biblioteka jonë Kombëtare mund ta marrë në këtë trajtë Sagën e Skënderbeut, që është e nënta nga dhjetë njësitë e përmbledhjes, të përmendura më sipër, ndërsa del edhe në Lbs 1505 40, të shkruar tre vjet më vonë, më 1900. Ajo është përkthyer nga libri i L. Holbergut dhe u bë aq popullore në Islandë, saqë gjendet në 10 dorëshkrime të tjera dhe në një tufë rimuresh.

Te Holbergu nuk ka pasur ndarje të tekstit në krerë, por te 3 dorëshkrimet e Gudhmundur Helgasonit të vitit 1820, Lbs 1305 80  të vitit 1832 dhe Lbs 676 40  rreth 1840-50 ka dhjetë krerë, në njërin (Lbs 1767 40 të vitit 1862) ka tetëmbëdhjetë, të plotë me tituj, si p.sh. kreu 1 për rritjen e Skënderbeut. Për një prej tyre tyre, Lbs 1305 80, na kishte vënë në dijeni drejtori F. Gudhmundson që më 1985.

Sagat vetë kanë qenë mjaft popullore, por kanë qenë gjithashtu pikënisja për një varg rímuresh. Përkthimin nga teksti i L. Holbergut e ka shndërruar në vargje me rima, domethënë në rimure, sr. Hannes Bjarnason a Rip (1776-1838). I ka hartuar më 1821-1824 dhe janë shtypur më 1861 si Rímur af Skanderbeg Epirótakappa në Akureyri, qyteti i dytë më i madh i Islandës. Teksti origjinal është hedhur në internet, por nuk lejohet të kopjohet i plotë. Ka të ngjarë që Bjarnasoni të kishte lexuar për Skënderbeun sagën e Gísli Konrádhssonit, të cituar më sipër.

Këto rimure janë ruajtur në pesë dorëshkrime (Lbs 691 40, Lbs 2173 40, JS 95 80 , JS 98 80  dhe ÍB 206 40 ). Siç e tregon Bjarnasoni në pjesën e hyrjes të tufës së parë (I.6-7), dikush që nuk e njihte, i kishte dërguar një kopje të sagës bashkë me kërkesën që të hartonte një grup rimuresh me atë subjekt. Janë bërë mjaft ndryshime kundrejt përkthimit, por sidomos që vargjet t’u përshtateshin konvencioneve të rrëfimit islandisht. Për shembull, pohimet në vetën e parë nuk njihen në stilin e sagave islandeze, ndërsa në fund mbyllja nuk bëhet duke e ndërprerë rrëfimin, por duke shtuar diçka. Ashtu si në eposin tonë, edhe në islandishten përdoren shpesh togfjalësha ose shprehje si formula tipike. Nganjëherë për termat e panjohur shtohen shpjegime ose ndryshohen, si për shembull, përkthyesi nuk e dinte se cilët ishin ‘Dabrensere’: banorët e qytetit të Dibrës, prandaj i ka dhënë thjesht ‘luftëtarët’. Është mjaft e këndshme shtesa aty, ku flitet për Skënderbeun, i cili kur dëgjoi se kishin ardhur turqit, u përpoq të ngrihej dhe veshi armorin; islandishtja shton: ‘dhe kur turqit dëgjuan se ai kishte veshur armorin, menjëherë ua mbathën dhe nuk deshën të qëndronin më’. Mbretërve dhe prijësve nëpër saga u vishen rregullisht cilësi të shquara, prandaj nuk mund të lë jashtë ato për Skënderbeun: ’përveç guximit dhe trimërisë së tij të veçantë, ai kishte edhe këto cilësi: ishte shumë i pashëm dhe me dinjitet, si njeriu më i madh e më i fuqishëm, ndërsa ishte shumë i dashur me miqtë, besnik dhe i sjellshëm me njerëzit e vet e gjithashtu mendjehapur e bujar’.

Einar Bjarnasoni, që e përmenda më sipër, dorëshkrimit më të hershëm prej tij ÍB 251 40, të shkruar më 1806-1807, kur e ka shndërruar në rimur, i ka shtuar tri strofa, në të cilat Skënderbeu krahasohet me heronjtë e Dhiatës së vjetër, Davidin dhe Juda Makabeun. Nga shqyrtimi që u ka bërë M. Driskolli, del se po këto tri strofa, me disa variacione të vogla, gjenden te dorëshkrimi i Gudhmundur Helgasonit i vitit 1820, krahas me një strofë të katërt, të shtuar ndërmjet së dytës dhe të tretës, e cila sipas stilit ndoshta ka prejardhje gojore, te dy dorëshkrime të tjera, Lbs 1305 80  dhe Lbs 676 40 . Saga islandeze ka pothuaj po aq tekst sa edhe burimi danisht, ndërsa rimuret janë afër dy herë më të gjata sesa proza.

Përfundimi i studiuesit M. Driskoll është se historia e Skëndebeut u prit mirë në Islandë, duke u bërë menjëherë pjesë e një korpusi të teksteve të sagave popullore dhe rimureve, që kanë qarkulluar në Islandën e shekullit XIX, kurse cilësia epike e rrëfimit përftohej sepse vetë M. Barleti për jetën e bëmat e Skënderbeut kishte pasur si një prej modeleve kryesore Homerin. Kështu Skënderbeu mund ta zinte pa vështirësi vendin krahas heronjve tradicionalë islandezë, si: Starkadhr gamli, Fridhthjófur frækn-i dhe Sigurdhur thögli. Nuk mund të mos shprehem, se punimi i M. J. Driskollit është i nivelit të lartë shkencor, rezultat i një pune të gjatë kërkimore dhe është mbështetur te autorë të mëparshëm të afirmuar në këtë fushë, si G. Petroviqi (1881) dhe F. Pall (1938). Madje ai i ka vijuar kërkimet në këtë fushë, siç e dëshmon punimi i tij “The Long and Winding Road: Manuscript Culture in Late Pre-Modern Iceland” (Rruga e gjatë me dredha: Kultura e dorëshkrimeve në Islandën e periudhës së vonë para kohës së re).

Biografia e Skënderbeut në librin e familjeve nordike
Po shtoj këtu, se Libri i biografive familjare nordike (“Nordisk familjebok”, Owl.13) i vitit 1910 në faqen 1233 jep zërin: “Kastriota, Georg — me kombësi shqiptare, i njohur më shumë si Skanderbeg”. Është një jetëshkrim i shkurtër, ndërsa në bibliografi del se është mbështetur në burime me peshë: Paganel, Geschichte Skanderbegs (1856); Pisko, Skanderbeg (1894); Cuniberti, L’Albania ed il principe Skanderbeg (1898).

Ndërkohë, marrim dijeni edhe për hulumtime të tjera. Harry Hodgkinson ka botuar në Londër më 2005 librin Skënderbeu: nga peng i osmanëve te një hero shqiptar (Scanderbeg: From Ottoman Captive to Albanian Hero). Është e vërtetë, se historianët tanë tashmë e quajnë të provuar, se Skënderbeu nuk ishte marrë peng, por kishte qenë sanxhakbej në zotërimet e të atit. Besoj se sulltani e largoi nga ajo detyrë, nga frika se ai mund të mos i nënshtrohej lehtë, duke gëzuar mbështetjen e bashkatdhetarëve. Do të shtoja me këtë rast, se spekulimet sikur Skënderbeu iu kundërvu osmanëve vetëm sepse donte tokat e të atit e jo më tepër, janë qesharake. Këta spitullaqë të sotëm të historisë, me sa duket, nuk e dinë se fjala ‘atdhe’ do të thotë toka e atit, madje ne e kemi sipas gjermanishtes, ku është pikërisht po ashtu: Vaterland. Si mund të mohohet, që Skënderbeu, duke luftuar për dheun e të atit, nuk paska luftuar për at-dheun!?

Siç tregova, literatura islandeze është mbështetur te burimet danisht. Ky burim nuk paska shterur edhe sot. Më 1988 Universiteti i Aarhusit ka botuar një përmbledhje Fortælling og erfaring: tilegnet Johan Fjord Jensen, nga Ole Birklund Andersen e të tjerë, në të cilën në faqet 135-58 është edhe një artikull nga Minna Skafte-Jensen kushtuar veprës së M. Barletit mbi Skënderbeun, duke e qujtur në titull: “Një rrëfenjë historike: Skënderbeu i Marin Barletit midis krijimtarisë gojore dhe letërsisë” (‘En heltehistorie: Marin Barleti Skanderbeg mellem mundtlighed og skriftlighed’; anglisht A Heroic Tale: Marin Barleti’s Skanderbeg between Orality and Literacy, Århus, 1988). M. Skafte-Jensen (lindur më 1937) është profesore e greqishtes dhe latinishtes; anëtare e Akademisë së Shkencave dhe Letrave Daneze, Norvegjeze e Belge. Ka punuar në Universitetin e Kopenhagës më 1969-1993 dhe në Universitetin e Danimarkës Jugore më 1993-2003. Titulli mund të kuptohet drejt, në qoftë se do të shtoj që ajo punon në fushën e epikës arkaike greke, në teorinë e formulimit gojor dhe për poezinë latine e të Rilindjes në Danimarkë. Punimet e saj do të ishte e mira të njiheshin nga folkloristët tanë.

Marrim vesh gjithashtu se:
— 1837 suedisht është shkruar “Skënder Beu: një pjesë teatrale historike në tre akte” nga Thure Gustav Rudbeck (1806-1876), autor pjesësh, përkthyes dhe historian.

— 2010 Anna Larsdotter ka botuar “Skanderbeg: han ledde kampen mot osmanern” (Skënderbeu: ai udhëhoqi luftën kundër osmanëve), në Allt om historia, nr. 7, f. 56-59.

Gjithashtu një kolonel, Theodore Felix, ka dërguar në qershor 2015 një faqe anglisht për Betejën e Torviollit, ku shënohet se Skënderbeu paska pasur 15.000 trupa dhe Ali Pasha 45.000. Duket që të dhënat janë marrë nga Barleti, por shënohet “Nga një libër i botës katolike”.