Gazeta “TemA” ka mësuar se cila do të jetë trupa gjykuese që do të shqyrtojë çështjen e hapur në Komisionin e Posaçëm të Apelimit për ish-prokuroren e Prokurorisë së Përgjithshme, Rovena Gashi dhe bashkëshortit të saj Dritan Gina.

Pas një kërkesë për informacion të depozituar në këtë institucion, “TemA” meson se relatore do të jetë Ina Rama ndërsa gjyqtarë Luan Daci dhe Rezarta Schuetz.

“Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, më datë 17.05.2018, është paraqitur ankimi me palë ankuese znj.Rovena Gashi dhe z. Dritan Gina, me objekt: “Anulimin e vendimit nr. 140, datë 11.05.2018 të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku dhe anulimin e vendimit nr.141, datë 11.05.2018 të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku etj.”.

Sipas shortit, rezultojnë të jenë anëtarë të Kolegjit të shqyrtimit paraprak: Gjyqtar Luan Daci, gjyqtar Rezarta Schuetz, relatore e çështjes Ina Rama”, komunikon KPA për “TemA”.

Më herët pokurorja e përgjithshme e përkohshme, Arta Marku, pezulloi nga detyra prokurorët Rovena Gashi dhe Dritan Gina pas regjistrimit të procedimit për fshehje të pasurisë.

Ata dyshohet se kanë fshehur pasuri të patundshme, disa apartamente dhe godina që s’janë deklaruar prej tyre, por që se rezultojnë të regjistruar në emër të të afërmve të bashkëshortëve jashtë çdo lloj rregulli.

Çifti i prokurorëve, u kundërpërgjigj me akuza të forta duke nënvizuar se veç Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka tagrin për hetimin e pasurisë së tyre. Në deklaratat e tyre të përcjella në media, ata adresuan akuza edhe ndaj Komisionit të Posaçëm të Apelimit.

Në kërkesën për KPA, “TemA” pyeti edhe nëse ka çështje të tjera të regjistruara pranë KPA-s veç atyre të bëra publike në faqen zyrtare.

Ndërkohë, komunikohet se “Sot është shtuar çështja e rivlerësimit të gjyqtarit të Apelit Durrës Besim Trezhnjeva.

Ky i fundit ka depozituar një ankim kundër vendimit të KPK-së nr. 14 datë 13.04.2018, pasi u shkarkua për mungesë të justifikimit të pasurisë.

Mësohet se trupa gjykuese do të jetë Ardian Hajdari, relator Luan Daci dhe anëtarë Sokol Çomo, Ina Rama dhe Rezarta Schuetz. (TemA).J.J