Sulmuesi më i ri i Interit, Lautaro Martinez është prezantuar sot zyrtarisht para mediave, ku edhe ka pasur konferencën e tij të parë si një futbollist i Interit. Ai ka zgjedhur që të mbajë fanellën me numrin 10, numër të cilin më parë e ka mbajtur Adriano, Jovetiç e së fundmi Zhoao Mario.

Ai u shpreh se nuk e ka pasur të vështirë të zgjidhte Interin në kohën kur në klub kishin mbërritur disa oferta, duke shtuar, se drejt zikaltërve e ka shtyrë edhe Diego Milito.

“Gjithçka po shkon shumë mirë që nga mbërritja ime këtu. Shokët e skuadrës më kanë pritur në mënyrë të shkëlqyer. Po punoj me një grup fantastik futbollistësh, me një trajner shumë të mirë dhe me shumë impenjim. Për mua janë interesuar edhe disa klube të tjera por që kur erdhi oferta e Interit nuk u mendova dy herë dhe vendosa ta pranoja menjëherë.

Sigurisht i shtyrë edhe nga Diego Milito që është pjesë e stafit drejtues të Racing Club i cili më ka folur për emrin dhe rëndësinë e madhe që ka Interi si klub. Që i vogël jam frymëzuar nga Radamel Falkao më pëlqenin lëvizjet e tij në fushë dhe mbi të gjithë stili i lojës. Pse Lautaro dhe jo Martinez, emri në fanellë? Sepse mbiemri im Martinez është shumë i përhapur ndërsa Lautaro është një emër i veçantë”, tha mes të tjerash Lautaro Martinez.