Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu në konferencën e sotme për media, njoftoi nismën për përdorimin e aseteve kriminale të sekuestruara dhe të konfiskuara në funksion të drejtpërdrejtë të shoqërisë. Ajo bëri me dije se gjatë vitit të kaluar, si rezultat i punës së përbashkët të Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme, Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Byrosë Kombëtare të Hetimit, janë sekuestruar apo konfiskuar asete me vlerë mbi 65 milionë euro, shifra më e lartë e arritur ndonjëherë brenda një viti. Sipas saj, ky rezultat nuk është rastësi, por fryt i forcimit të kapaciteteve hetimore, reale dhe virtuale, si dhe i rritjes së bashkëpunimit ndërkombëtar, që ka përmirësuar ndjeshëm gjurmueshmërinë e pasurive kriminale.
Ministrja theksoi se për vite me radhë, pavarësisht ekzistencës së legjislacionit, ka munguar një mekanizëm i qartë për administrimin dhe shfrytëzimin e këtyre pasurive. “Sot kemi ngritur një kornizë të plotë ligjore dhe një mekanizëm funksional, që mundëson mobilizimin e aseteve të konfiskuara në funksion të programeve sociale, viktimave të krimit dhe komuniteteve në nevojë”, u shpreh Koçiu.
Vetëm gjatë vitit 2025 janë sekuestruar 726 pasuri, me një vlerë totale mbi 6 miliardë lekë. Prej tyre, 64 pasuri janë konfiskuar dhe kanë kontribuar në mbështetjen e 15 projekteve me impakt social dhe shërbime direkte për komunitetin, si dhe janë vënë në dispozicion të 20 institucioneve publike për realizimin e programeve të tyre. Gjithashtu, është krijuar baza ligjore për transferimin e pronave të konfiskuara në pushtetin vendor për strehimin e personave në nevojë, si dhe për ngritjen e qendrave sociale apo rezidenciale për viktimat e dhunës, krimit dhe trafikimit.
Ministrja njoftoi gjithashtu hapjen e një thirrjeje publike për organizatat e shoqërisë civile dhe OJF-të, me qëllim përfitimin e aseteve të konfiskuara për projekte konkrete në shërbim të qytetarëve. Në vijim, Ministria e Punëve të Brendshme po punon për të zgjeruar këtë mekanizëm, duke synuar financimin e projekteve për të rinjtë, veçanërisht për ata që janë dëmtuar apo shfrytëzuar nga krimi, me fokus fuqizimin, rehabilitimin dhe largimin e tyre nga rrugët e paligjshmërisë.
Koçiu bëri të ditur një nismë të re ligjore që po përgatitet nga Ministria e Punëve të Brendshme për të mundësuar që asetet kriminale të shkojnë edhe në mbështetje të familjeve të efektivëve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës.
“Efektivi i rënë nuk mund të kthehet pas, por familjet e tyre meritojnë solidaritetin, mirënjohjen dhe mbështetjen e plotë të shoqërisë. Këto të mira, që sot financohen vetëm nga taksapaguesit, duhet dhe mund të financohen edhe nga pasuria kriminale,” theksoi Ministrja.




















