Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri ka reaguar pas vendimit të sotëm të Kuvendit për të rrëzuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Në një deklaratë zyrtare, ambasada thekson mbështetjen e Holandës për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke nënvizuar se lufta efektive kundër korrupsionit, edhe në nivelet më të larta, është një nga kushtet kyçe të këtij procesi.

Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri shprehet:

“Holanda mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, në përputhje me dëshirën e popullit shqiptar. Një kërkesë kyçe për progres në këtë proces të bazuar në meritë është ndjekja penale efektive e korrupsionit, përfshirë edhe në nivelet më të larta.

Ne presim qartë që, në raste të tilla, sistemi i drejtësisë të jetë në gjendje të veprojë me shpejtësi dhe pa pengesa. Politika shqiptare mbetet përgjegjëse për të garantuar këtë proces.”