Anëtari i Këshillit të Mandateve dhe njëkohësisht deputeti i PS-së Ulsi Manja ka prezantuar këtë të enjte raportin për imunitetin e Belinda Ballukut që po shqyrtohet në seancën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë pas kërkesës së SPAK. Manja ka thënë në prezantimin e tij se masa personale nuk prodhon asnjë efekt real juridik.

Ulsi Manja: Raportin tonë e kemi bërë publik. Më lejoni që të shpreh qëndrimin tim lidhur me raportin e pakicës. Kam që nga viti 2013 në këtë Kuvend dhe kjo është kërkesa e shtatë për deputeten Belinda Balluku. Nuk ka në këtë sallë raport më të detajuar me faktet dhe provat të prokurorisë, e cila bie ndesh me rregullat e Kuvendit. Këtë raport nuk e kam dëgjuar nga deputetët e opozitës, as në vitin 2023 ku kishim kërkesën nga Prokuroria e Posaçme për një tjetër deputet.

Në emër të anëtarëve të shumicës në këtë këshill, në momentin që ne e paraqitëm raportin tonë në lidhje me kërkesën e SPAK me dhënien e aturoizimit për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Deputetja në fjalë nuk ushtron më funksione ekzekutive në bazë të ndryshimeve në qeveri, për këtë arsye masa personale nuk prodhon më asnjë efekt juridik real. Kjo nuk do të thotë se paraqitja e këtij raporti para këtij Kuvendi është një procedurë formale. Përkundrazi ajo është një shprehje institucionale e drejtësisë.

Aq më tepër që kjo çështje e cila duhet të mbetet vetëm e drejtësisë, është shndërruar sot në një fasadë politike. Është e domosdoshme sot që Kuvendi të flasë shumë qartë, të ndajë politikën, nga drejtësia, zhurmën nga faktet dhe nga procesi i qetë gjyqësor. Jemi përballë një vendimmarrje që prek drejtpërsëdrejti të drejtat e një deputeti.