Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar lidhur me nismën e Gjykata e Lartë e Shqipërisë për të rishikuar praktikën e deritanishme të masave të sigurisë, veçanërisht përdorimin e arrestit me burg. Sipas tij, një vendim njehsues i Gjykatës së Lartë mund të shërbejë për të disiplinuar praktikën gjyqësore dhe për të garantuar barazinë para ligjit, por thekson se arresti me burg duhet të mbetet një masë ekstreme që zbatohet vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe mbi bazën e provave të plota.

Postimi i Manjanit:

Sigurisht, Gjykata e Lartë mund ta zgjidhë në mënyrë shterruese çështjen e zbatimit abuziv dhe si masë të parë të arrestit me burg.

Madje më mirë mund ta bëjë gjykata sesa ndërhyrjet në ligj.

Në pikpamje formale nisma meriton vlerësim maksimal pozitiv. Sa më shumë nisma të tilla që disiplinojnë praktikën gjyqsore, më mirë është. Janë disa faza të procesin penal që prekin direkt liritë dhe të drejtat kushtetuese, të cilat kërkojnë interpretime njehsuese.

Vendimet njehsuese janë baza e barazisë para ligjit. Njehsimi i praktikës i bën të gjithë të trajtueshëm njësoj. Ndaj ky rol themelor i Gjykatës së Lartë duhet nxitur më shumë.

Por duhet të presim përfundimin e vendimit që do marrë Gjykata. Se mund të bëhet edhe më keq se ç’është…

Dmth ajo që duhet të kuptojmë të gjithë është se:

Arresti me burg nuk është as masa e parë e as e vetmja që ekziston në ligj.

Arresti është masë ekstreme dhe zbatohet në rrethana ekstreme, dmth kur masat e tjera nuk kanë dhënë rezultat.

Arresti nuk mund të justifikohet me supozime, as me hamendësime por me prova.

Në terma praktikë, pres nga Gjykata e Lartë të udhëzojë përdorimin e kësaj mase sigurie strikt kur ekziston flagranca, ose kur prokurori ka arritur të mbledhë prova të plota për akuza të rënda dhe çështja është gati për gjyq. Jo me çerek prove, siç është sot, por me prova të plota që justifikojnë akuzë penale.

Edhe në këto raste, pra kur çështja shkon në gjyq, prap duhet të ketë mundësi gjykata të vlerësojë masa të tjera, nëse e lejon siguria publike dhe jo mllefi apo dëshira e prokurorit.

Pres nga Gjykata e Lartë të ndalojë arrestin me burg për persona nën hetim, pra pa akuzë, dmth pa prova. Vetëm në rastin arrestit në flagrancë mund të lejohej kjo gjë, por jo më shumë se 40 ditë, kohë që i duhet prokurorit të formulojë akuzat pasi të ketë shqyrtuar faktet e ngjarjes flagrante.

Asnjë Person nën Hetim nuk mund të rrijë në paraburgim më shumë se 40 ditë me këtë status. Pastaj nëse merret i pandehur, duhet të ekzistojë mundësia e një mase më propocionale ose alternative sesa arresti me burg.

Pres që Gjykata e Lartë të kufizojë përdorimin e procedurës së marrjes së vendimit të arrestit në mungesë ( pas krahëve, fshehtas së personit) strikt vetëm në rastet kur personi i fshihet apo i ikën drejtësisë.

Shkurt, arresti është masë ekstreme që merren në rrethana ekstreme. Pra ose je kapur me presh në duar, ose ke në kurriz një akuzë shumë të rëndë, ku liria jote dëmton sigurinë publike. Rasti tjetër ekstrem duhet të jetë strikt kur masat e tjera që janë dhënë, kanë dështuar.

Nëse Gjykata e Lartë sqaron këto gjëra do ta zgjidhte problemin vërtetë dhe, njëherë e mirë.