Zgjerimi i Bashkimit Evropian është rikthyer në qendër të agjendës evropiane dhe Shqipëria thotë se është gati për këtë moment., tha sot në Bruksel ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë një paneli për zgjerimin e BE.

Diskutimi u mbajt në Konferencën e Ambasadorëve të BE-së dhe u fokusua te forcimi i Bashkimit Evropian nëpërmjet procesit të zgjerimit. Në panel morën pjesë edhe komisionerja për Zgjerimin Marta Kos dhe zëvendëskryeministri njëherazi ministër i Jashtëm i Moldavisë, Mihai Popșoi.

Hoxha tha se zgjerimi ka treguar ndër vite se është një nga instrumentet më të suksesshme të BE për të konsoliduar paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në Evropë. Ai shtoi se është pozitiv fakti që ky proces është rikthyer qartë në qendër të agjendës evropiane.

Sipas tij, procesi duhet të vazhdojë të bazohet te parimi i meritës dhe te zbatimi i reformave që afrojnë vendet kandidate me standardet e Bashkimit Evropian.

“E mirëpresim faktin që ky proces është rikthyer sërish, në mënyrë të qartë dhe të vendosur, në qendër të agjendës evropiane. Ne i qëndrojmë bindjes se procesi duhet të vijojë të mbështetet fuqimisht në parimin e meritës dhe në zbatimin e reformave të thella që e afrojnë çdo ditë e më shumë vendin tonë me BE dhe BE me aspiratat dhe nevojat legjitime të qytetarëve tanë”, tha ai.

Ministri theksoi gjithashtu se Shqipëria është përgatitur për këtë moment me reforma të thella institucionale, me përafrim të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE dhe me mbështetjen e fortë të shoqërisë për integrimin evropian.

Postimi i Ministrit Hoxha:

I nderuar që mora pjesë, së bashku me Komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos dhe Zëvendëskryeministrin e njëherazi, Ministrin e Jashtëm të Moldavisë, Mihai Popșoi, në Konferencën e Ambasadorëve të Bashkimit Evropian në Bruksel, në një panel shumë domethënës mbi temën: “Forcimi i Bashkimit Evropian përmes Zgjerimit.”

Zgjerimi ka dëshmuar ndër vite se është një nga instrumentet më të suksesshme të Bashkimit Evropian për konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinentin tonë. E mirëpresim faktin që ai është rikthyer sërish, në mënyrë të qartë dhe të vendosur, në qendër të agjendës evropiane.

Ne i qëndrojmë bindjes se procesi duhet të vijojë të mbështetet fuqimisht në parimin e meritës dhe në zbatimin e reformave të thella që e afrojnë çdo ditë e më shumë vendin tonë me BE dhe BE me aspiratat dhe nevojat legjitime të qytetarëve tanë.

Shqipëria është përgatitur për këtë moment përmes reformave të thella dhe transformuese institucionale, përmes përafrimit të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, si dhe përmes një shoqërie, përkushtimi i së cilës ndaj projektit evropian mbetet i palëkundur.

Tashmë është koha që të gjithë të dëshmojnë mençuri, vendosmëri dhe guxim, si dhe një ndjenjë të qartë realizmi strategjik, për të matur, mbështetur dhe shpërblyer progresin e arritur, si dhe për të përmbushur premtimin e Selanikut, të dhënë 23 vjet më parë, për një #Evropë vërtet të ribashkuar.