Rusia mund të tentojë të ndikojë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të Italisë vitin e ardhshëm, por edhe të vendeve të tjera europiane.

Paralajmërimi u dha këtë të mërkurë nga Ministri i Jashtëm Italian dhe njëkohësisht zv. kryeministri i Vendit Antonio Tajani gjatë takimit joformal të ministrave të jashtë të Bashkimit Europian në Wicklow të Irlandës.

“Jam i bindur se kjo mund të ndodhë, prandaj duhet të ndërhyjmë herët. Unë nuk e përjashtoj mundësinë e përpjekjeve nga ana e Federatës Ruse për të ndërhyrë në jetën demokratike të vendeve të Bashkimit Evropian, duke ndërhyrë në zgjedhjet e lira demokratike që zhvillohen në vendet tona dhe duke u përpjekur të ndikojnë në vullnetin e njerëzve me këtë aktivitet të paligjshëm dhe të dënueshëm”, tha Tajani.

Ministri i Jashtëm Italian u shpreh se ndërhyrje të tilla janë të papranueshme, ndërsa shtoi se çështja është diskutuar disa herë në nivel europian. Tajani deklaroi se Italia po punon për të forcuar strukturat e saj për përballimin e kërcënimeve kibernetike, duke treguar se vendi ka tashmë një dhomë operacionale 24-orëshe që i përgjigjet sulmeve të tilla.

Nga rezultatet e deritanishme, Ministri i Jashtëm Italian deklaroi se shumica e sulmeve kanë origjinë nga hakerat rusë dhe përmendi si shembull një sulm ndaj faqes së internetit të Ministrisë së Jashtme italiane, që sipas tij ndodhi gjatë vizitës së parë të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Itali.