Jeta e natës në Tiranë është padyshim një nga më të bukurat dhe energjiket në Evropë dhe sonte jemi në një nga baret më “in” të Tiranës. Sapo hyn syri të shkon tek një grup të rinjsh që qeshin dhe argëtohen mes tyre. Të gëzuar duket se diçka komunikojnë me barin, në mes të të cilit qëndron Eltjan Lazaj, një nga bartendët më në zë të kryeqytetit. Duken si numra shpejtësie, por kjo është mënyra si ky djalosh magjeps me pijet e tij klientët shqiptarë por edhe turistët e huaj, që vijnë enkas të provojnë pijet e veçanta, të miksuara nga Laze, siç njihet nga të gjithë.
Kur afrohesh, kupton që nuk është e rastësishme e gjithë vëmendja dhe suksesi që Eltjani ka në fushën e bartenderave dhe miksologjisë së koktejleve.
Pasioni i tij nisi 10 vite më parë, kur fare i ri arrinte të miksonte pije të ndryshme, për të krijuar të reja.
Sot, pas shumë vitesh eksperiencë, duke punuar në vendet më të mira të Tiranës, Eltjani mund të shquhet fare thjesht sapo hyn në bar. Me një aureolë hareje rreth tij, ai arrin të mbledhë pranë vetes dashamirës të pijeve të mira, koktejleve të përzgjedhura dhe krijuara prej tij me shumë pasion, duke e bërë të paharrueshme eksperiencën e gjithsecilit që ulet pranë barit të tij.
Ndërsa fokusin e ka tek miksimi i disa ingredientëve “sekretë”, hedh sytë nga ne për të na uruar mirëseardhjen dhe teksa jep prekjen magjike me dekorin final të gotës, shprehet entuziast për të na rrëfyer më shumë rreth këtij profesioni të ri në vendin tonë, që nisi si pasion por shumë shpejt falë talentit të tij, u kthye në një profesion të arrirë.
Faleminderit që pranove të bisedosh me ne. Fillimisht, mund të na tregosh diçka më shumë për veten dhe si nisi përvoja jote si bartender?
Eltjani: Sigurisht! Miqtë dhe klientët më njohin si Laze por emri im i vërtetë është Eltjan Lazaj. Që në adoleshencë më ka tërhequr miksimi i pijeve dhe menjëherë sapo mbusha moshën, nisa të punoja duke filluar nga baza e një baristi. Kam nisur nga zero dhe duhet të them se pas 20 vitesh në këtë profesion, kam arritur të diferencohem falë pasionit dhe aftësisë krijuese që më karakterizon, duke punuar deri në orët e para të mëngjesit me të njëjtin intensitet dhe rigorozitet. Kam punuar në disa nga lokalet më të njohura në Tiranë dhe kam arritur të krijoj disa kokteje të veçanta dhe inovative si, “Green Eye”, “Huba-Buba”, “Apocalips” dhe “The Mood”.
Çfarë do të thotë për ty të jesh një bartender i shkëlqyer?
Eltjani: Për mua, të jesh një bartender i shkëlqyer do të thotë të kesh njohuri të thelluar distilateve, të bazave të ingredientëve dhe teknikave të miksologjisë, të ofrosh një shërbim të shkëlqyer dhe të krijosh një përvojë të paharrueshme për klientët. Aftësia për të balancuar shijet dhe për të eksperimentuar me përbërës të ndryshëm është thelbësore. Përveç kësaj, nuk mjafton të jesh vetëm një miksues i mirë dhe të kesh një sy të stërvitur, por duhet gjithashtu të ndërveprosh me ata që ke përballë, për t’i bërë të ndihen komodë në mënyrë që ta shijojnë pijen. Gjithçka varet nga energjia e bartenderit; një bartender që nuk buzëqesh dhe nuk krijon një harmoni mes tij, pijes dhe klientit, nuk ka se si të krijojë koktejle të mira.
Eltjan, përveçse punës si barist, jep herë pas here dhe leksione për të rinjtë që duan të afirmohen në këtë profesion. Mund të na thuash më shumë për specialitetin tënd në miksologji?
Po, sigurisht. Më pëlqen të eksperimentoj me ingredientë të freskët dhe të ndryshëm, si dhe të krijoj kokteje që kanë një histori të veçantë ose që lidhen me stinën në të cilin ndodhemi. Një nga specialitetet e mia është *Green Eye*,” një përzierje e aromave lokale dhe të freskëta që pasqyrojnë kulturën dhe traditat e qytetit tonë.
Cilat janë disa nga teknikat e miksologjisë që përdor më shpesh?
Eltjani: Një teknikë që përdor shpesh është infuzionimi i alkoolit me përbërës të ndryshëm, si fruta të freskëta ose erëza. Kjo ndihmon në krijimin e shijeve unike dhe komplekse. Po ashtu, më pëlqen të eksperimentoj me teknikat e ngrirjes dhe ruajtjes në temperatura të ndryshme për të përmirësuar përvojën e klientëve.
Çfarë e bën një koktejl të veçantë dhe si e arrin këtë?
Eltjani: Një koktejl i veçantë është ai që ka një balancë të përsosur midis shijes, aromës dhe pamjes. Kjo arrihet duke përdorur përbërës të cilësisë së lartë dhe duke i dhënë rëndësi çdo detaji, nga mënyra se si përgatitet deri tek mënyra e serviret. Për mua, është e rëndësishme të kuptoj dëshirat dhe preferencat e klientëve dhe të krijoj diçka që i tejkalon pritshmëritë e tyre.
Si e shikon të ardhmen e miksologjisë në Shqipëri?
Eltjani: Besoj se miksologjia në Shqipëri është në rritje dhe po përdoret gjithnjë e më shumë nga bartenderët e vjetër të këtij profesioni. Ky vend ka të gjithë potencialin për të zhvilluar dhe sjellë inovacione të reja, për të mos mbetur peng të koktejleve klishe që njohim të gjithë, por pse jo të krijojmë risi duke shfrenuar imagjinatën, dijet por dhe dëshirën për të krijuar shije të paprovuara më parë.
Faleminderit shumë për kohën dhe informacionin që ndave me ne. Një mesazh për ata që duan të hyjnë në këtë fushë?
Eltjani: Të bësh miksologji është më shumë se thjesht përgatitja e koktejleve; është një art që kërkon pasion dhe përkushtim. Të gjithë ata që janë të interesuar të hyjnë në këtë fushë duhet të jenë të hapur për të mësuar, të eksperimentojnë dhe të kenë guximin për të provuar ide të reja. Mënyra më e mirë për të përparuar është të krijosh dhe të ndash pasionin tënd për këtë art me të tjerët. Për të gjithë ata që kanë interes për këtë profesion, mund të ndjekin në klasat profesionale ku unë jap leksione ose mund të më ndjekin në instagram në ig: bartender.al ose laze.13;.
Apocalips
The Mood
The green eye