Zv/ministja e Brendshme, Rovena Vada, gjatë fjalës së saj në Komisionin e Integrimit ka propozuar ngritjen e një komiteti për monitorimin e situatës së emigracionit nga vendi ynë, i cili do të prodhonte strategji që do të nxisnin uljen e azilkërkuesve nga Shqipëria drejt Bashkimit Europian. Sipas Vodës, edhe pse shifrat nga viti 2015 deri në vitin 2018 kanë qenë në ulje sa i takon azil kërkimit, sërish duhen forcuar masat edhe më tej në këtë drejtim. “Emigracioni është një çështje e të gjithëve. Kjo nuk është një çështje vetëm e qeverisë dhe as e parlamentit. Është çështje e të gjithëve. Sigurisht kur flasim për migracionin, që në fakt është një fenomen social dhe si shumë fenomene të tjera lidhet edhe me sigurinë, patjetër që Ministria e Brendshme luan një rol kyç, sa i përket menaxhimit dhe kontrollit të lëvizjes së shqiptarëve jashtë territorit”, tha Voda.
“Për sa i përket migracionit të parregullt të shtetasve shqiptarë për periudhën 2015-2018 lëvizjet migratore janë drejtuar kryesisht drejt vendeve të BE dhe ka për qëllim kërkimin e azilit në zonën Shengen për motive ekonomike, por sidoqoftë, kjo prirje migratore ka shënuar rënie gjatë periudhës 2015-2018. Një prirje tjetër që vërehet është ajo e emigrimit të të miturve të pashoqëruar, kryesisht drejt Italisë, Francës, Suedisë, Mbretërisë së Bashkua…etj. Sidoqoftë edhe ky numër ka ardhur në rënie gjatë periudhës 2015-2018. Nga 1065 kërkesa për azil në vitin 2015, rezulton se ky numër ka qenë 485 kërkesa për vitin 2018”, theksoi Voda. “Pavarësisht kësaj, mbetet sfidë përballja me këtë fenomen. Shifrat e 2019-ës dhe për këtë ne i referohemi EUROSTAT, për momentin duke futur edhe tetorin ka rritje dhe rritja deri tani nuk është 16%, siç u tha nga folësit, por 10% dhe për muajin nëntor dhe dhjetor ka rënie të numrit të azil-kërkuesit dhe urojmë dhe shpresojmë që shifra totale për vitin 2019 të jetë një përqindje akoma edhe më e vogël”,shtoi Voda.
Ajo garantoi se se vëmendja e qeverisë nuk ka munguar. “Duke nisur që nga viti 2018 edhe pse shënonte numrin më të vogël të azilkërkuesve shqiptarë, pas vitit 2015, që ishte viti me numrin më të lartë, ne si ministri i propozuam qeverisë për të ngritur një grup pune për të miratuar dhe draftuar strategjinë kombëtare për të qeverisur emigracionin. Natyrisht urdhëri doli dhe filluam punën dhe në qershor të vitit 2019 me vendim të qeverisë u miratuan strategjia kombëtare dhe plani veprimit 2019-2022, një strategji e re për qeverisjen e migracionit. Në fund të Korrikut ky dokument hyri në fuqi dhe jemi në fazat e para të implementimit”, bëri të ditur Voda.
“Duke qenë ambicioz, ne kemi nisur punën për për të ngritur sekretariatin teknik dhe jemi në konstituimin teknik të kësaj strategjie, duke caktuar pikat e kontaktit në çdo ministri dhe personat përgjegjës për çdo ministri dhe jemi në konstituimin për herë të parë të një komiteti, që do të monitorojë këtë strategji dhe që do të drejtohet nga zv. ministri i brendshëm dhe në përbërje ka zv/ministra të arsimit, financave dhe ministrive të tjera të linjës”, theksoi Voda. “Ky komitet në fund të çdo viti duke parë edhe trendet e emigracionit do të sugjerojnë strategji për të sjellë një ulje të largimit të shqiptarëve dhe për t’i orientuar shqiptarët drejt një emigracioni të rregullt pasi nuk mund ta ndalojmë si fenomen”,-vijoi Voda.
“Në Ministrinë e Brendshme është punuar për të forcuar kontrollet në pikat kufitare. Kontrollet janë shtuar vitet e fundit, kjo është pasqyruar edhe me rënien e numrit të azilkërkuesve. Ka shumë shtetas që janë kthyer në kufi. Kemi marrë masa të forta, që shkojnë në linjë me respektimin e lëvizjes së lirë. Qëllimi ynë është forcimi i kontrolleve dhe nga krahu tjetër respektimi i kritereve të lëvizjes në zonën shengen”,- theksoi Voda. “Numri i personave të kthyer që nuk kanë plotësuar dokumentacionin ka qenë në rritje deri në vitin 2018, ka pasur ulje në vitin 2019 për të rritur, por ka pasur rritje të të miturve të pashoqëruar”, tha zv/ministrja Voda. “Kemi një ulje të azilkërkuesve në Gjermani, ndërsa Franca është një nga vendet që ka një legjislacion miqësor dhe ata nuk ndajnë informacione pasi një pjesë menaxhohet nga institucione jo shtetërore që janë pak hermetikë”, tha zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda.